E Shtunë, 31 Tetor 2026

Primakov: “Serbët të shpërngulen në Veri dhe Kosova të ndahet”



Ish-kryeministri rus, Yevgeny Primakov, ka shprehur mendimin që serbët nga pjesët jugore të Kosovës të shpërngulen drejt pjesës veriore të saj dhe më pas të bashkohen me Serbinë. “Mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte që serbët nga pjesët jugore të Kosovës të shpërngulen në pjesën veriore të saj, më afër Serbisë dhe më pas të bashkohen me Serbinë”,-tha Primakov. “Jam i vetëdijshëm se disa njerëz mund të më kritikojnë pse them se serbët duhet të shpërngulen nga pjesa qendrore e Kosovës, mirëpo kjo është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë”, - ka vlerësuar Primakov në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”. Sipas ish-kryeministrit rus, shqiptarët janë të fortë sepse ata mbështeten te prania e NATO-s në Kosovë. “Megjithatë, mendoj se edhe ata do të detyrohen të kërkojnë të dalin nga kjo situatë. Nëse atje gjithmonë do të ketë përleshje, forcat e NATO-s nuk do të qëndrojnë përgjithmonë”, - tha Primakov, i cili mban detyrën e kryetarit të Dhomës së Tregtisë së Rusisë.

Greqia paralajmëron veton, Maqedonia ndërprerjen e bisedimeve

Greqia dhe Maqedonia, ashtu siç pritej, kanë refuzuar propozimin e fundit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Methju Nimiç, që Maqedonia të quhej “Republika e Maqedonisë-Shkup”. Fjala Shkup do ta dallonte këtë republikë nga territori grek me të njëjtin emër dhe do të kënaqte kështu Greqinë. Megjithatë, ka ndodhur krejt e kundërta. Pas mbledhjes së qeverisë greke ministrja e Punëve të Jashtme Dora Bakojanis tha se propozimi i fundit i Nimiç ishte larg objektivave të synuara të Greqisë, duke u shprehur pro vazhdimit të përpjekjeve diplomatike për këtë çështje. Bakojanis paralelisht ka paralajmëruar edhe vendosjen e vetos duke komentuar se pa zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët, Athina nuk mund të jepte konsensusin e saj për marrëdhënie aleatësh me Shkupin. Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka paralajmëruar se Maqedonia do të ndërpriste bisedimet për çështjen e emrit nëse Greqia do të bllokonte anëtarësimin e saj në NATO. “Është thuajse e sigurt se nëse vendoset vetoja, bisedimet e mëtejshme për tejkalimin e çështjes së emrit do të bien në një krizë kaq të thellë, sa do të ndërpriten. Vetoja do të sjellë pasoja të gjatë dhe negative në marrëdhëniet mes dy vendeve”,- tha kryeministri Gruevski. Ai shtoi se vendi i tij anëtarësimin në NATO do të përpiqet ta bëjë edhe pas vitesh apo dhe dekadash të tëra, por akuzoi Greqinë se veprimet e saj bien në kundërshtim me ato të Aleancës Veri-Atlantike dhe kërcënojnë rajonin. Ndërmjetësuesi i bisedimeve, Nimiç, ka sqaruar se emri i ri që u është propozuar palëve nuk ishte 100% çfarë do të donin Athina dhe Shkupi, por ajo që iu propozua palëve ishte një dimension gjeografik. “Shpresoj shumë se të dyja qeveritë do ta shohin atë seriozisht dhe do ta konsiderojnë në mënyrë pozitive, me shpresë që të jetë bazë për zgjidhjen e këtij diskutimi të gjatë”, - tha Nimiç.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›