Partos: “Ekziston një ndarje ‘e butë’ e Kosovës”
Analisti Gabriel Partos ka vlerësuar se trazirat në Mitrovicë provuan vështirësitë që do të kenë autoritetet në Kosovë për ta zgjidhur çështjen e rajoneve me shumicë serbe, por ai thotë se nuk pret që në një të ardhme të afërt të ketë ndonjë ndarje de fakto të pjesës veriore të Kosovës. Në një intervistë për BBC-në Partos është shprehur se ndarja e Kosovës ka filluar që në vitin 1999, kur serbët përzunë shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës. Ky proces, sipas tij, ka vazhduar, është konsoliduar dhe i është dhënë një lloj nxitje shtesë nga shpallja e pavarësisë, që serbët e përdorën si justifikim për përforcimin e kontrollit të tyre mbi institucionet në Mitrovicën e Veriut, dhe në pjesën veriore të vetë Kosovës. Megjithatë, në aspektin ligjor Partos nuk mendon se kjo do të çojë në ndarjen zyrtare të Kosovës së paku jo në një të ardhme të afërt. “Nuk mendoj se kjo mund të çojë në ndarje zyrtarisht, të paktën jo në të ardhmen e afërt. Serbët e kanë thënë pak a shumë se nuk e duan këtë gjë për arsye të ndryshme: ligjërisht ata nuk duan të pranojnë se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, pra në një farë kuptimi ata nuk mund të shkëpusin një pjesë të Serbisë, nëse ata e shohin Kosovën si pjesë e Serbisë”. Problem tjetër, sipas tij, do të ishte se kjo gjë do të përkeqësonte gjërat për serbët që janë jashtë këtij rajoni. I pyetur nëse mendon se ideja e ndarjes mund të bëhet realitet dikur në të ardhmen, Partos është përgjigjur pozitivisht. “Ashtu siç po shkojnë gjërat, mendoj se po”. Sipas Partos, ekziston mundësia që Serbisë t'i jepet një farë shkalle kontrolli të dyfishtë për Kosovën e veriut. “Pra, mendoj se ka një mundësi, jo në të ardhmen e afërt. Në të ardhmen e afërt do të shohim një ndarje të butë, jo ndarje formale, megjithatë në terren do të ngrihet një kuadër për këtë”, - është shprehur Partos.
Sarkozi viziton Britaninë e Madhe
Mbretëresha Elisabeta u ka uruar mirëseardhjen në Britaninë e Madhe presidentit francez, Nikolas Sarkozi dhe bashkëshortes së tij, Karla Bruni në fillim të vizitës së tyre dyditore. Sarkozi u përshëndet me mbretëreshën dhe dukën e Edinburgut.
Sarkozi gjatë këtij takimi ka shprehur bindjen për bashkëpunim mes dy vendeve në çështje si energjia dhe emigracioni. Për një epokë të re marrëdhëniesh ka folur edhe kryeministri britanik, Gordon Braun. Sarkozi gjatë një interviste ishte shprehur se britanikët dhe francezët kishin të njëjtat aspirata dhe në të shkuarën kishin pasur të njëjtët armiq. “Unë gjithmonë kam menduar të njëjtën gjë, që Britania e Madhe dhe Franca duhet ta besojnë njëra-tjetrën, që ne ndajmë të njëjtat vlera, kemi të njëjtat probleme, të njëjtat aspirata dhe shpresa dhe kemi pasur të njëjtët armiq”,- tha presidenti francez.
27 Mars 2008