E Diel, 1 Nëntor 2026

UNMIK-u: Kemi emrat e zyrtarëve serbë që “pushtuan” Gjykatën e Mitrovicës

Ivanko: “Janë duke vazhduar hetimet për trazirat e 17 marsit”. KFOR-i do të reagojë me forcë nëse ndaj ushtarëve të misionit përdoret dhunë

Blerina OLLDASHI

Zëdhënësi i UNMIK-ut në Kosovë, Aleksandër Ivanko, ka bërë të ditur gjatë një konference për shtyp se tashmë UNMIK-u ka emrat e të gjithë pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme serbe që morën nën kontroll Gjykatën e Mitrovicës më 17 mars. “UNMIK-u ka emrat e të gjithë pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që mësynë në Gjykatën e Mitrovicës ditën e 17 marsit”, - është shprehur Ivanko. Sipas tij, hetimet për trazirat e 17 marsit janë duke vazhduar, ndërkohë administrata e UNMIK-ut ende nuk ka përgjigje se sa kohë do të marrë hetimi për vrasjen e policit nga Ukraina dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve në ato trazira.
Ivanko nuk ka pranuar të japë më shumë detaje për ecurinë e procesit të hetimeve. KFOR-i, nga ana e tij, ka komentuar reagimin e forcave paqeruajtëse gjatë protestave të dhunshme në Mitrovicën veriore më 17 mars. “KFOR-i do të reagojë me forcë sa herë që ndaj ushtarëve të misionit të ketë sulme. Mos prisni që ne të shpërndajmë lule kur na sulmojnë”, - tha zëdhënësi i KFOR-it, Zhan Lyk Kotar. Ai sqaroi se këto direktiva janë dhënë dhe nga NATO-ja. “Misioni i NATO-s përsëriti qëndrimin për reagim të duhur në rast të sulmeve ndaj ushtarëve që shërbejnë në Kosovë. Pas akuzave të ditëve të fundit nga krerët e institucioneve të Serbisë se KFOR-i më 17 mars ka përdorur plumba gome dhe ka tejkaluar masën e lejuar për përdorimin e forcës, zëdhënësi Kotar tha se KFOR-i gjatë asaj dite është përballur me protestues të dhunshëm dhe vrasës. “Më 17 mars ne jemi përballur me protestues të dhunshëm dhe vrasës. Bëjmë dallim të qartë ndërmjet qytetarëve dhe vrasësve”, - tha Kotar, duke shtuar se më 17 mars KFOR-i është qëlluar me granata dore dhe mjete të tjera vdekjeprurëse. “Ne jemi sulmuar dhe prova më e mirë për këtë është se kemi qenë të sulmuar me granata dore. Fatmirësisht nuk pati shpërthime. E dimë se ajo ka qenë prodhim jugosllav e tipit “M75” me përbërës plastikë të rrezikshëm dhe që konsiderohet armë vdekjeprurëse. Është e dedikuar për vrasjen e njerëzve gjatë sulmeve”, - tha Kotar. Mitrovica veriore më 17 mars u përfshi nga një protestë e dhunshme serbe gjatë së cilës u sulmua policia dhe KFOR-i pas operacionit të forcave të rendit për kthimin e autoritetit të UNMIK-ut në gjykatat e atjeshme. Mbi 100 pjesëtarë të forcave të sigurisë mbetën të plagosur dhe një polic 25-vjeçar vdiq nga plagët e marra.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›