E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhen natën dy banesa, ngjarjet pa autorë

 TIRANE - Dy familje, në dy lagje të ndryshme të kryeqytetit janë plaçkitur gjatë natës duke gdhirë dita e martë. Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë nga dritarja, në kohën kur të gjithë pjesëtarët e familjes kanë qenë në gjumë. Hajdutët kanë vjedhur para e bizhuteri me vlerë të konsiderueshme në dy banesat. Shtëpitë e grabitura ndodhen njëra në lagjen “Don Bosko” dhe tjetra në afërsi të “Alliasit”, pranë “Shkollës së Bashkuar”, por edhe pse larg njëra-tjetrës, policia dyshon se vjedhjet janë realizuar nga të njëjtët autorë. Burime nga policia thanë se ngjarja e parë është denoncuar në Komisariatin Nr.3 mëngjesin e djeshëm. Në kallëzimin e kryefamiljarit thuhej se në mëngjes kanë gjetur dritaren e hapur dhe kanë parë që u mungonin 30 mijë lekë të reja, si dhe disa varëse e unaza floriri. Policia ka verifikuar vendin e ngjarjes, ku ka fiksuar disa shenja të autorëve, por ende nuk i ka identifikuar. Sipas policisë dyshohet se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe mund të jetë kryer nga të njëjtët persona. Ky përfundim është arritur pasi edhe për vjedhjen e banesës tjetër pranë “Shkollës së Bashkuar”, është proceduar në të njëjtën mënyre. Vjedhja e dytë ka ndodhur në një diferencë kohore rreth një orë më vonë nga e para dhe autorët janë futur sërish nga dritarja. Në denoncimin që është bërë nga familjarët në Komisariatin Nr.4, thuhet se u është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash, disa bizhuteri dhe 2 telefona celularë. Policia po heton të dy rastet dhe është vënë në ndjekje të autorëve, të cilët ende nuk janë identifikuar.               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›