Politikanët, vals në ballon e TKOB-it
Politikanë, diplomatë e gazetarë, nuk do t’i rezistojnë tundimit për të kërcyer nën ritmet e valseve vjeneze, as këtij viti. Për të shtatën herë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit organizon Grand Ballon e fundvitit. Një mbrëmje e veçantë, ku spektatorë e artistë kërcejnë e këndojnë së bashku. Sot në orën 19.00, TKOB hap dyert për të gjithë ata që adhurojnë muzikën e bukur vjeneze dhe dëshirojnë të thyejnë pak monotoninë e përditshmërisë, duke u drejtuar nga ritmet e një valsi, apo një polke. Grand Balloja e fundvitit është një nga ngjarjet më të preferuara, jo vetëm për publikun e përhershëm të TKOB-it, por edhe për politikanë, diplomatë e gazetarë. Bashkë me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, nën kujdesin e së cilës organizohet kjo ballo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre edhe politikanë si Gazmend Oketa, Gerti Bogdani, Neritan Ceka, dashamirës i aktiviteteve kulturore, padyshim nuk do të mungojnë drejtuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, drejtues të përfaqësive diplomatike në Tiranë, apo njerëz të Medias, si Rezear Xhaxhiu, Rezarta Reçi, etj. Në një skenografi të veçantë, dekoruar nga “Geraldina Sposa”, e cila do të shtrihet edhe në hapësirën e sallës dhe nën drejtimin e prezantueses Hygerta Sako e drejtorit të TKOB-it, Zhani Ciko, do të shpaloset një program i pasur me kryevepra të muzikës botërore. Hapja ceremoniale i është besuar trupës së Gardës së Republikës, prej 20 vetësh, e cila gjithashtu do të interpretojë edhe “Marshin e Pashait”. Më tej, do të vijojë programi, i cili do të ekzekutohet nga solistët, kori, trupa e baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOB, nxënës të shkollës koreografike, Ansambli koreografik “Spektër”, nën drejtimin e dirigjentëve Edmond Doko, Petrika Afezolli dhe Gridi Kraja. Solistët e operës Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Dorina Selimaj dhe Erlind Zeraliu, do të interpretojnë arie të zgjedhura nga vepra si “Tarantella” e Rosinit, opereta “Vejusha gazmore”, opera “Dasma e Figaros”, opereta “Baroni Cigan”, etj. I ftuar special i mbrëmjes është bariton Gëzim Myshketa, i cili prej vitesh ndërton karrierën e tij muzikore në skenat italiane. Ndërsa trupa e baletit, nën drejtimin e koreografëve, Agron Aliaj, Ilir Kerni dhe Arian Sukniqi do të interpretojë pjesë më të bukura të baletit “Arrëthyesi” dhe valset më të njohura të familjes Shtraus, si “Danubi blu”, “Polka Schnel”, “Marshi i Radeckit”, etj. Por sipas “rregullores” së kësaj balloje, ata që mbushin pistën e kërcimit nuk janë vetëm balerinët profesionistë, por edhe të ftuarit e spektatori që mbush sallën, i cili duhet të jetë i veshur me veshje mbrëmjeje. Regjisori Nikolin Gurakuqi, ka menduar gjithçka deri në detaj, në mënyrë që të krijohet një atmosferë sa më gazmore e ku askush të mos jetë thjesht spektator, por pjesë e spektaklit dhe argëtimit. Grand Balloja e fundvitit u organizua për herë të parë 7 vjet më parë, huazuar nga tradita vjeneze. Fillimisht “u huazuan” dirigjentë austriakë, nën drejtimin e të cilëve u kornizua kjo mbrëmje, e cila sjell në Tiranë pak nga atmosfera e koncertit të famshëm të Vjenës që zhvillohet ditën e parë të vitit, në 1 janar. Tanimë, e futur në rrugën e traditës ajo organizohet nga një staf tërësisht shqiptar. al.miTë ftuarJozefina TopalliFerdinand XhaferriNeritan CekaGerti BogdaniGazmend OketaSuzana TurkuMaqo LakroriAmbasadori i Austrisë, Florian RaunigAmbasadorja e Francës,Maryse DavietAmbasadorja e Maqedonisë, BlagorodnaMingova-KrepievaPritet Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmuth Lohan