E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e policëve, Dajti refuzon Krimet e Rënda

 Armand Bajrami Dritan Dajti, i akuzuar për masakrën e 7 gushtit 2009 në Durrës, ku u vranë 4 punonjës policie, nuk u paraqit dje në seancën e parë gjyqësorë në ngarkim të tij te Krimet e Rënda. Në seancë u bë e ditur se, ndonëse fletëthirrja e gjykatës kishte mbërritur në qelinë e Dajtit, ai nuk kishte pranuar ta firmoste. Gjithashtu, komunikimi i tij me oficerët e policisë kishte qenë vetëm me anë të shenjave, pasi nuk kishte folur me ta. Dje në sallë ishin të pranishëm dy të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje, kunati i Dajtit, Ergest Xhoxhi dhe ish-oficeri i policisë së Durrësit, Maringlen Muça. Gjykata vlerësoi se Dajti kishte refuzuar pjesëmarrjen në seancë dhe për të u deklarua mungesa në proces. Më parë, mbrojtësi i Dritan Dajtit, avokati Arben Qeleshi, pretendoi se gjendja e rëndë shëndetësore e klientit të tij është e rëndë. Ndërkohë, parregullsitë e vërejtura nga gjykata në prokurën e avokatit Qeleshi dështuan seancën. Referuar prokurës së paraqitur nga avokati, gjykata nuk mund ta ligjëronte si mbrojtës të Dajtit në mungesë të tij.REFUZIMI I DAJTIT“Gjykata konstaton se i pandehuri Dritan Dajti ka marrë dijeni për orën dhe datën e gjykimit. Ai nuk ka pranuar firmosjen e fletëthirrjes së gjykatës, ka folur me shenja dhe nuk ka ardhur në gjykatë. Gjykata e konsideron refuzim nga ana e të pandehurit për të marrë pjesë në gjykim dhe deklaron mungesën e tij”, u shpreh dje kryesuesja e seancës Nertina Kosova. Pas rreth 15 minutash në dhomën e këshillimit, togat e zeza shpallën vendimin e ndërmjetëm që rrëzoi pretendimet e avokatit mbrojtës të Dajtit. Sipas mbrojtësit, fletëthirrja nuk ishte në përshtatje me ligjin. “Klienti im është në gjendje të rëndë shëndetësore edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale”, u shpreh avokati duke kërkuar nga gjykata ripërsëritjen e fletëthirrjes. Në vendimin e saj gjykata u mbështet në raportin e shërbimit të policisë së burgjeve të datës 22 dhjetor të këtij viti. Referuar të dhënave, gjykata vlerësoi se në dërgimin e fletëthirrjes është respektuar vendimi i gjykatës për vënien në dijeni të Dajtit. Por deklarimi i mungesës për Dajtin nuk lejoi që seanca të zhvillohej normalisht.  Aavokati i tij, i zgjedhur nga familja, nuk u ligjërua dje nga gjykata tek Krimet e Rënda. Sipas togave të zeza, prokura e paraqitur nga familjarët e Dajtit, që i jepte avokatit Qeleshi të drejtën për përfaqësimin e tij në gjykatën e Tiranës, por jo në Gjykatën për Krimet e Rënda. Për këtë shkak gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të tre të pandehurit dhe shtyu seancën për në datën 8 janar të vitit të ardhshëm. Dosja në ngarkim të Dajtit dhe dy të pandehurve të tjerë mbërriti në gjykatë në 11 dhjetor të këtij viti. Sipas akuzës, mbi Dajtin rëndon autorësia e ekzekutimit të katër punonjësve të Grupit të Operacioneve Speciale, të cilët tentuan ta arrestonin, por ndeshën në rezistencë të armatosur. Akuzat për vrasjen e policëveDritan Dajti akuzohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese” “vrasje në rrethana të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “falsifikim dokumentesh”, “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”. Po sipas prokurorisë, Ergest Xhoxhi akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” e “falsifikim dokumentesh”, ndërsa Maringlen Muça për “shpërdorim detyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›