E Diel, 1 Nëntor 2026

Kili, 708 viktima nga tërmeti. Akuza Marinës për mosdhënie të alarmit për cunam

708 persona raportohen të vdekur nga tërmeti që goditi ditën e shtunë Kilin, ndërkohë që pritet që ky numër të rritet. Lëkundjet e fuqishme të tokës kanë lënë të pastrehë rreth 500 mijë persona raporton Kryqi i Kuq kilian. Kërkimet nën rrënoja për gjetjen e të mbijetuarve vazhdojnë. Zyra e menaxhimit të emergjencave në Kili ka dërguar 40 zjarrfikës të specializuar dhe 10 qen kërkues për ndihmë në operacionet e kërkim- shpëtimit.

Ndërkaq pjesa më e madhe e Kilit ka mbetur pa ujë të pijshëm dhe energji elektrike, ndërkohë që plackitjet për gjetjen e ushqimit kane rritur friken për sigurinë. Për t’i dhënë fund këtyre grabitjeve autoritetet janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës në disa zona. CNN raporton se në disa zona të Concepcion nuk kishte mjaftueshëm forca policore për të ndaluar grabitjen e dyqaneve.

Presidentja kiliane Michelle Bachelet tha se qeveria ka arritur një marrëveshje me supermarketet më të mëdhaja të vendit të cilat do t’u japin falas ushqimet që kanë në magazine të prekurve nga tërmeti. Forcat e armatosura do të ndihmojnë në shpërndarjen e ushqimit dhe ruajtjen e sigurisë.
Qeveria e Kilit ka marrë oferta për ndihmë nga shumë vende. Nga ana tjetër ushtria amerikane dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar po punojnë për të siguruar komunikimin përmes telefonave satelitorë.

Më shumë se 90 pasgoditje me magnitudë nga 4.9 - 6.9 kanë tronditur Kilin pas tërmetit të fuqishëm prej 8.8 ballësh të së shtunës, ndërkohë që një i tillë me magnitudë 6.2 u rregjistrua të djelën në afërsi të epiqendrës së tërmetit të parë.

Akuza Marinës për mosdhënien e alarmit për cunam

Ministri kilian i Mbrotjes fajëson Marinën për mosparashikimin në kohë të cunamit pas tërmetit me magnitudë 8.8 që lëkundi të shtunën shtetin amerikano-jugor. “E vërteta, edhe pse dhemb, është se një divizion i marinës gaboi” tha ministri Francisko Vidal, sipas të cilit paralajmërimi do t’i mundësonte banorëve të brigjevë të lëviznin drejt zonave më të larta.

Më shumë se 50 shtete dhanë alarmin për cunam, ndërsa autoritetet kiliane e kuptuan me vonesë se dallgët e mëdhaja që goditën brigjet e tyre detare ishin gjeneruese cunami.

Marina ka instaluar një sistem emergjence që i mundëson kapitenëve në çdo port të vërejnë ngritjen e nivelit të detit, edhe nëse vetë Marina nuk e ka vënë re një gjë të tillë. Pikërisht, ishin kapitenët e ketyre porteve ata që dhanë alarmin dukë paralajmëruar rezidentët të largoheshin dhe duke parandaluar kështu humbjen e shumë jetëve të tjera. “Ndodhi një gabim. Fatmirësisht sistemi ishte aktivizuar”- tha Vidal.

Tërmeti shkaktoi frikën për një cunami, por parashikimet për një cunam shkatërrues si ai i vitit 2004 nuk u realizuan. Tërmeti që goditi Kilin ishte rreth 700- 800 herë më i fortë se ai që goditi Haitin në muajin janar dhe që shkaktoi rreth 212 mijë viktima dhe 1 milionë të pastrehë.

Brigjet kiliane kanë një histori të pasur me tërmete shkatërrues, duke mbajtur edhe rekordin për tërmetin më të fuqishëm të ndodhur në 1960 me magnitudë 9.5 dhe që i mori jetën 1655 personave. Azhornuar së fundi ( e hënë , 01 mars 2010 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›