Shtohet trysnia ndaj Rupert Murdochut

Pritet se parlamenti i Britanisë do ta mbështesë mocionin, i cili kërkon nga Rupert Murdoch që të tërhiqet nga planet e tij për blerjen e kanalit televiziv BSkyB, për shkak të zgjerimit të skandalit lidhur me përgjimet e telefonave nga një gazetë e tij.
Mocioni i opozitës nuk është juridikisht i obligueshëm.
Por, të dy partitë e koalicionit qeverisës në Britani, thonë se ato do ta mbështesin mocionin, lëvizje kjo që pasqyron indinjatën publike lidhur me skandalin.
Reflektimi i këtij skandali kërcënon të përhapet edhe në Shtetet e Bashkuara, ku është baza e perandorisë mediale të Rupert Murdochut, News Corp, që përfshinë mediat shumë të njohura në Shtetet e Bashkuara, siç janë Wall Street Journal, New York Post dhe Fox Broadcasting.
Senatori amerikan, John Rockfeller, ka bërë thirrje për një hetim për të përcaktuar nëse kompania News Corp e ka shkelur ndonjë ligj të Shteteve të Bashkuara.