E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë dëshirojmë të jemi

Nga vijmë? Kush jemi? Pyetjet, të lashta sa vetë njerëzimi, mund të prodhojnë një mendim të thellë ose edhe një flluskë në ujë, largpamësi apo edhe dritëshkurtësi. Ka momente të historisë në të cilat pyetja përmban elemente toksike, një ndrydhje ndaj shoqërisë. Një nga këto momente ishte vigjilja e Luftës së Parë Botërore: Në “Malin e magjik”, Thomas Mann flet për “Kohë të nervozuara”. Edhe sot është një nga këto momente.
Kemi pasur boll tre ditë një lloj proteste fanfare, të paparë ndonjëherë në tokën shqiptare, që si gjithë gjërat që importojnë nga jashtë edhe stilin e protestës, janë të krasitura e të shartuara me diçka groteske, banale, të paracaktuar nga koha. Të kap kurioziteti e shkon për një rikonjicion në terren, por veçse çfarë të shohësh, një kallaballëk i vjetër, i formuar kryesisht me ish-komunistë të thatë nostalgjikë, ish-sigurimsa të rrudhur, ish-drejtues të komitetit qendror e tani krye-komunarë që përmendin se shoku Enver do të ngrihej nga varri, po të dinte se është kaq i kërkuar në tregun e kutive të shqepura, etj. Hapja e kutive është paraqitur nga PS-ja si panacea e të gjithë të këqijave që ka ky sistem post-monist, por ri-hapja e kutive në të vërtetë do të thoshte hapje e kutisë së pandorës, një vetëvrasje live e shtetit ligjor. Kuptohet vetiu - jo se e thotë Qeveria - se në asnjë vend të botës nuk kthehen vendimet e gjykatës, pasi ai është një pushtet i ndarë nga legjislativi. Nëse nuk ju kujtohet as në Athinën e Sokratit, kur u bë padrejtësia më e madhe e qytetërimit grek, sepse u dënua padrejtësisht një filozof dhe nuk u kthye vendimi kolegjial i gjykatësve. Kurrsesi sot s’mund të regjistrohet kjo prapaktheu në Shqipëri, kur tek ne u zhvillua një proces zgjedhor normal, që u certifikua si nga vendorët, ashtu edhe nga vëzhguesit dhe faktori ndërkombëtar.
Para pak ditësh në revistën mirënjohur “ The Economist” ishte një artikull me rastin e 20-vjetorit të Murit të Berlinit, që shpjegonte sesi pas rënies së komunizmit ishte më e lehtë për partitë e djathta që ta gjenin ideologjinë ndërsa partitë e majta e kanë patur më të vështirë. Analiza e “The Economist”, siç duket nuk paska shqyrtuar paraprakisht çështjen sui generis të së majtës shqiptare, e shndërruar vetëm në emër, se në ideologji bën një mix midis të resë dhe të vjetrës, pra, “përtej të majtës e së djathtës”.
Mirëpo nuk do të merrem me anakronizma që shkaktojnë në rastit më të mirë një gallatë me refleks të kushtëzuar. Kam më përzemër të pritshmen, për vetë faktin se jemi në një udhëkryq për të vendosur se në cilin komunitet do të integrohemi më mirë... kjo e para, ndërkohë që shpejtësia ka kaluar e dyta, paçka se edhe ajo e rëndësishme. Shpejtësia e lëvizjes në hapësirë nuk do të thotë se ne kemi ndryshuar, përkundrazi gjallon një hutim në një hapësirë më të gjerë. Aspirata legjitime është Evropa, andej kemi busullën e lirisë dhe demokracisë, por ka disa segmente (politiko-ekonomike) që duan të na gozhdojnë në vendnumëro edhe për shumë kohë. Nuk janë skema paranojake, por tollovia e ideve të humbura na ka bërë të kemi këtë stad shoqëror të trullosur. Ndërkaq, pyetjeve të mësipërme është lehtë t’u përgjigjesh se kanë të bëjnë më të kaluarën, por, për pyetësorin që na vjen nga Komisioni Evropian, si do t’ia bëjmë? Se cilin regjim kemi pasur deri më tani është fare thjeshtë t’u përgjigjesh, sepse pa pikëpyetje themi se kemi pasur një hallakatje të stërgjatuar të qenies sonë evropiane, aq sa e kemi bjerrë disi nëpër shekuj, por as larja e syve mbas viteve ‘90-të nuk mund ta zgjonte vrik gjumin falimentues të punizmit.
Mirëpo nëse tani kemi arritur të dalim nga minoriteti intelektual, do të thotë se mund të përballemi me sfidat që na presin së afërmi. Si do t’i plotësojmë standardet që na kërkohen me ngulm nga BE-ja? Sigurisht, jo me protesta folklorike. Sa do të investojnë në arsim, sa përqind më shumë të GDP-së, që - sikundër është provuar - është investimi më i madh që bën një demokraci për popullin e vet? Sigurisht, jo me protesta nostalgjike të një sistemi monist. Sa do të investojmë në shëndetësi, sa përqind më shumë të GDP-së, që është padyshim anti-korpi i një demokracie të qëndrueshme që i shërben drejtpërdrejt qytetarit? Sigurisht, jo me përçartje sifilize të politikës shqiptare. Nëse kërkohet një vizion për të ardhmen duhet investuar, e jo protestuar se unë di ta bëj më mirë. Ka momente që bashkëpunimi është jetik për një shoqëri që kërkon te tejkalojë vetveten nga situata ku ka ngecur. Natyra njerëzore është e tillë që të lejon të reflektosh se ku je dhe çfarë të bësh në të mirë të një projekti më të madh se koteci i koefiçentit politik të ditës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›