E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kina, mbështetje në OKB për statusin Kosovës

20/03/2005  Kryeministri Nano deklaron se Shqipëria është e palëkundur për çështjen e Taivanit

Republika Popullore e Kinës premton mbështetje të mëtejshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Këtë ka deklaruar ministri i Jashtëm kinez, Li Xhao Shing, gjatë takimeve që ka zhvilluar dje me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Në takimin e tij me Presidentin Moisiu, ministri i Jashtëm kinez shprehu besimin në një të ardhme më të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga ana e tij, ai vlerësoi mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë vendit të tij në OKB dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fushën ekonomike. Nga ana e tij, Presidenti Moisiu theksoi se "Kina si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si një vend që vlerëson të drejtat e popujve, Kina do të kontribuojë për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Kjo zgjidhje do të vijë nga qytetarët e Kosovës (shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë etj.), në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar", tha Moisiu. Ministri i Jashtëm kinez tha se "pikëpamja kineze për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës është në interes të të gjithë grupeve etnike që ekzistojnë atje, duke respektuar dialogun mes palëve dhe në bazë të rezolutës së KS të OKB". Çështja e Kosovës ishte temë e bisedimeve edhe në takimin që ministri i Jashtëm kinez pati me Kryeministrin Nano. Duke u ndalur në rolin e Kinës në zhvillimet rajonale, Nano tha se Kina, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e duhura për të ndihmuar në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Gjithashtu, Kryeministri shprehu qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë, e cila njeh vetëm një Kinë, duke theksuar se qeveria shqiptare nuk ka patur dhe nuk do të ketë marrëdhënie zyrtare me Taivanin, të cilin e konsideron pjesë të pandarë të territorit kinez. “Ne shprehim mirëkuptimin tonë për të gjitha përpjekjet që bën Kina për bashkimin paqësor të vendit”, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›