E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Nuk më largojnë dot nga politika klanet e drogës”

20/03/2005  Debati, PS e Elbasanit heq nga lista e propozimeve për kandidaturat deputetin aktual, Taulant Dedja

"Duhet të kandidojnë vetëm elbasanas autoktonë, për të krijuar lobin e tyre në parlament"

Shpallja e kandidaturave në Partinë Socialiste në Elbasan ka shkaktuar debat për deputetin Taulant Dedja dhe kreut të PS-së së këtij qyteti, Agim Leka. Taulant Dedja, aktualisht deputet i Elbasanit, ka akuzuar krerët e këtij qyteti se kanë shkelur statutin e partisë, i cili, sipas tij, pa asnjë vendim të forumeve më të larta të PS-së ka filluar shpalljen e kandidaturave për deputetë në këtë qytet. Sipas Dedjes, hartuesit e këtij skenari janë të lidhur me klanet e drogës. "Si profesionist, deklaroj se nga politika nuk më largojnë dot as klanet e drogës dhe transfertave, apo pastrimit të parave të pista, as kontrabandistët, as klanet nepotike, as trafikantët e influencës, apo zyrtarët me konflikte evidente interesi", tha Dedja.

Dedja

Irritimi i Taulant Dedjes ka ardhur pas zërave në PS-në e Elbasanit se ky i fundit nuk do të jetë më kandidaturë për deputet në zgjedhjet e ardhdhme parlamentare në këtë qytet. Dedja ka thënë se kryetari i PS-së, Elbasan, pa asnjë vendim të strukturave drejtuese të qendrës si KPD, apo Kongresi i Partisë ka filluar shpalljen e kandidaturave. "Në këtë mënyrë, Leka po çon në çoroditjen a anëtarësisë së partisë, pikërisht në një moment delikat, siç është fushata parazgjedhore. Gjithashtu kryetari i PS-së së Elbasanit, individualisht ka deklaruar pranë forumeve drejtuese në qendër se pranë forumeve drejtuese në qendër se në Elbasan duhet të kandidojnë vetëm elbasanas autoktonë, për të krijuar lobin e tyre në parlament", tha Dedja. Sipas tij, ka qenë pikërisht Leka shkaktar për humbjen e zgjedhjeve për kryetar Bashkie në qytetin e Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2003". Këto deklarata janë quajtur fondamentaliste, pasi të ardhurve u japin të drejtën vetëm të votojnë, ndërsa autoktonëve edhe të zgjidhen. Është pikërisht kreu i PS-së së Elbasanit shkaktar për humbjen e zgjedhjeve për kryetar Bashkie", tha Dedja. Sipas ti,j për moskandidimin e tij në Elbasan janë të interesuar struktura të lidhura drejtpërsëdrejti me klanet e drogës, të infiltruar dhe në politikë. Megjithatë, Dedja nuk ka preferuar të bëjë publike, duke deklaruar se ato do t'i bëjë publike në një fazë të mëvonshme.

PS

Nga ana e tij, kryetari i PS-së së Elbasanit, Agim Leka, nuk i është përgjigjur akuzave të deputetit Dedja. I kontaktuar nga "Metropol", Leka ka thënë se nuk është në dijeni të një deklarate të tillë, dhe do të shprehet për publikun sapo të njihet me akuzat e deputetit Dedja. "Unë nuk e kam dëgjuar ende deklaratën e deputetit Dedja. Di të them që Partia Socialiste është një parti gjithëpërfshirëse, dhe nuk përjashton askënd. Unë nuk e di se për çfarë e ka fjalën zoti Dedja, por, gjithsesi, do të përgjigjem në momentin që të njihem me pretendimet e tij", tha Leka. Pavarësisht se emrat e kandidatëve të Elbasanit nuk janë bërë publikë, sërish kjo temë ka arritur të ngjallë debate në PS. Deri më tani kryetari i PS-së, Nano, ka shpallur vetëm një pjesë të kandidaturave në Tiranë dhe në zonën e Shijakut, ku para pak ditësh prezantoi ministrin e Bujqësisë, Agron Duka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›