E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano, fushatë në Sarandë larg syve të mediave

20/03/2005  Saranda ka qenë pika e ndalimit të djeshëm për Kryeministrin Nano, i cili këtë herë ka preferuar që takimet me bazën në zonën e tij elektorale t'i zhvillojë larg syrit të medias. Burime nga Saranda shprehen se gjatë vizitës së tij të djeshme në këtë qytet, Kryeministri Nano ka zhvilluar vizita në disa familje sarandiote në lagjet 2, 3 dhe 4 të këtij qyteti. Më pas, Kryeministri ka zhvilluar një takim në selinë e Partisë Socialiste të qytetit me krerët e degës, si dhe drejtuesit lokalë. Edhe në këtë takim nuk është lejuar pjesëmarrja e medias. Dhe pas përfundimit të saj Kryeministri nuk ka preferuar të deklarojë arsyen e vizitës së tij. Ndërkohë, drejtuesit socialistë të Sarandës janë shprehur se së shpejti do të funksionojë një zyrë informimi për të gjitha aktivitetet e kandidatit për deputet në Sarandë, Fatos Nano. Sipas burimeve nga PS-ja e Sarandës, mësohet se në ditët në vazhdim pritet një ardhje tjetër e Kryeministrit në Sarandë, e cila do të shoqërohet nga çelja e fushatës elektorale për zgjedhjen e tij si deputet në këtë qytet. Të njëjtat burime shprehen se kanë nisur përgatitjet nga strukturat lokale të socialistëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›