E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Takim me Shpresën", sot miting i PD-së në sheshin "Skënderbej"

20/03/2005  Partia Demokratike do të mbyllë sot fushatën paraelektorale "Ditët e Shpresës" me një miting, që do të zhvillohet në orën 12.00, në sheshin "Skënderbej". Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha dje se mitingu i titulluar "Takim me Shpresën" zhvillohet nga opozita në shenjë besimi për të ardhmen. "Nesër në sheshin "Skënderbej" është takmi i të gjithë shqiptarëve me shpresën, ndaj edhe unë ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë në shenjë respekti për votën e lirë, në shenjë respekti për veprën e tyre të madhe, në shenjë besimi tek e ardhmja të festojmë së bashku të dielën në sheshin “Skënderbej” dhe të ndjekim një koncert madhështor, mesazhi është “Takim me Shpresën”, tha Berisha. Prej më shumë se dy muajsh, Berisha ndërmori një tur takimesh në të gjithë vendin, duke zhvilluar kështu dhe fazën e parë të fushatës elektorale, të quajtur "Ditët e Shpresës". Duke shfrytëzuar përvjetorin e themelimit të PD-së në rrethe, Berisha gjatë takimeve të tij ka dhënë dhe udhëzimet përkatëse, që kanë të bëjnë me përzgjedhjen e kandidaturave, apo dhe me hartimin e listës së zgjedhësve, atje ku opozita ka të zgjedhurit e saj vendorë. Ditën e sotme janë të thirrur të marrin pjesë në mitingun e opozitës edhe këngëtarë apo grupe këngëtarësh si Ritmi i Rrugës, Irma Libohova etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›