E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina me ekonominë numër 2 në botë



Kina ka kaluar Japoninë në tremujorin e dytë të vitit, duke u bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E përditshmja amerikane "Wall Street Journal" informon se Pekini po përpiqet të afirmohet si ekonomia e dytë në botë edhe në bazë vjetore për vitin 2010. Sipas saj, tejkalimi vjetor do të ishte një fakt historik për një ekonomi në rritje.
Prodhimi i Brendshëm Bruto ose GDP-ja e Japonisë në tremujorin e dytë arriti në 1.288 miliardë dollarë, kundrejt 1.339 miliardë dollarëve të GDP-së kineze regjistruar në të njëjtën periudhë. Fakti se tejkalimi ndodh në tremujorin e dytë, tregon se Kina ka shumë mundësi ta tejkalojë GDP-në japoneze edhe në bazë vjetore. Të dhënat zyrtare të publikuara së fundmi tregojnë se rritja ekonomike në Japoni është dobësuar ndjeshëm në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave të qeverisë, në periudhën prill-qershor, GDP-ja është rritur vetëm 0.4 për qind që është shumë më pak se sa është pritur. Rivalët ekonomikë të Japonisë, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, aktualisht kanë publikuar rritje më të fuqishme të GDP-së, për të njëjtën periudhë. Gjermania ka shënuar rritje 2.2 për qind, ndërsa Shtetet e Bashkuara, 2.4 për qind.
Rreth dhjetë vjet më parë Kina ishte ekonomia e shtatë në botë, më pas tejkaloi Gjermaninë dhe në vitin 2007, Pekini u pozicionua në vendin e tretë. Për vitin 2010 analistët presin që Gjermania të renditet në vendin e katërt, Franca në të pestin dhe Mbretëria e Bashkuar në të gjashtin. Në vendin e shtatë Italia e ndjekur nga Brazili në vendin e tetë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›