E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë-SHBA, gjigantët që lënë të “qeta” njëra-tjetrën

Autori i Lajmit: The Economist
Më shumë se 100 vjet pas parashikimit të Ruzvelt, liderët Amerikanë kanë hedhur përsëri vështrimin drejt Paqësorit për të vendosur fatin e vendit të tyre dhe të pjesës tjetër të botës. Kina është bërë një pjesë e pamohueshme e saj, në fakt më vonë sesa Ruzvelti e kishte parashikuar. Në 1905, Amerika ishte fuqi në rritje. Britania, zotëruesja e ujërave, po shqetësohej në atë kohë për humbjen e supremacisë. Tani, është Amerika që duket e shqetësuar për fuqizimin e një rivali të ri të mundshëm. Trashëgimia e përbashkët kulturore dhe politike e ndihmoi Amerikën të eklipsonte fuqinë britanike pa gjakderdhje, por fuqizimi i Gjermanisë dhe Japonisë çoi në nisjen e luftërave botërore. Presidenti Barak Obama është dëshmitar i një Kine që po fuqizohet e pasurohet gjithmonë e më tepër ndërsa jeton në një regjim autoritar. Fuqizimi i saj do të shkaktojë edhe më shumë shqetësim sesa ai që shkaktoi para një shekulli vendi i tij. Me një ekonomi amerikane që varet në fije të perit dhe rritjen ekonomike me ritme marramendëse të Kinës (pavarësisht se është më e vogël sesa rritja ekonomike përpara vitit të krizës financiare), shumë politikanë dhe intelektualë kinezë dhe amerikanë e ndjejnë që shigjeta e peshores ndodhet në favor të Kinës. Shumë prej tyre parashikojnë që pika e kthesës të jetë aq e fuqishme sa ajo e Amerikës në 1905. Por një diskutim i fundit i “G2” tregon për një ndryshim të pikave të forta të të dyja vendeve: Tashmë ato shihen si gati të barabarta, bashkëpunimi i të cilave është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur çështjet botërore, që nga financa deri tek ndryshimet e klimës dhe rritja e rrezikut bërthamor.
Zgjidhni armët tuaja
Këtë muaj z.Obama do të kryejë vizitën e tij të parë në Kinë. Ai dhe homologu i tij kinez, Hu Jintao, theksojnë nevojën për bashkëpunim dhe shmangien e diskutimit mbi mosmarrëveshjet tregtare, të frikësuar nga një dështim i këtij bashkëpunimi. Në 1 tetor Kina dha një spektakël të fuqisë së saj në rritje nëpërmjet paradës së arsenalit ushtarak nëpër rrugët e Pekinit. Kriza financiare ka rritur frikën e asaj që amerikanët e shohin si kërcënim potencial. Kina është bërë huadhënësi më i madh i Amerikës nëpërmjet blerjes së bonove të thesarit amerikan, e cila teorikisht do të thotë që Kina mund të shkatërrojë ekonominë amerikane. Kjo frikë injoron efektin shkatërrues në vlerë që një shitje e borxhit amerikan do të kishte për rezervat e dollarit të Kinës. Ky raport do të shpjegojë përse Kina do të vazhdojë t’i japë hua Amerikës, dhe përse juani kinez ka mundësi së shpejti të bëhet monedha e rezervës. Kur Laurenc Samers ishte president i Universitetit të Harvard (tashmë kryekëshilltar ekonomik i z.Obama), ai përdori termin “ekuilibër i terrorit financiar” ndërmjet Amerikës dhe kreditorëve të huaj, kryesisht ndërmjet Kinës dhe Japonisë. Kjo ndodhi në 2004, kur asetet e Japonisë ishin katër herë më të larta se të Kinës. Që prej shtatorit 2008, Kina qëndron në krye. Gazeta e përditshme “China Daily”, shkroi në korrik që asetet kineze të thesarit amerikan do të thoshin që mund të shkatërronin statusin e dollarit si monedhë rezervë në çdo kohë. Por në të njëjtën kohë e përditshmja nënvizoi që ky ishte një “version i bllokimit të luftës së ftohtë, i shprehur në versionin këmbim valutor i huaj bazuar në një “shkatërrim të sigurt të përbashkët”. Kina po eksploron rënien e ekonomisë globale me shpresën për të përshpejtuar fuqizimin e saj. Disa analistë kinezë marrin si shembull Bashkimin Sovjetik, i cili shfrytëzoi konfuzionin ekonomik perëndimor gjatë Depresionit të Madh për të marrë teknologji industriale nga shitësit e dëshpëruar perëndimorë. Kina është irrituar prej kohësh nga kontrollet e imponuara Amerikane në eksportet e teknologjisë së lartë të përdorura për qëllime ushtarake. Situata aktuale e vështirë e Amerikës shihet si një mënyrë për të ushtruar presion për të ngritur barriera të tilla dhe për firmat kineze për të kërkuar mundësi blerjeje në industritë e teknologjisë së lartë amerikane. Kriza ekonomike ngadalësoi rritjen e shpejtë të investimeve direkte kineze. Stefen Grin i “Standard Chartered” parashikon që këtë vit mund të arrijë të njëjtin nivel si në vitin 2008 (rreth 56 miliardë dollarë, shumë e cila shkon dy herë më tepër se vitin e shkuar). Disa amerikanë shqetësohen për investimet e jashtme kineze, ashtu siç u shqetësuan për blerjet japoneze, por shumë prej tyre e mirëpresin stabilitetin dhe punësimin që ajo ofron. Kina ka muskuj financiarë që po rriten, por ajo akoma është larg inovacionit teknologjik dhe krijimit të markave botërore. Ky raport argumenton që SHBA-së i duhet të mësohet me një prezencë më të lartë kineze në tokën e tyre, duke përfshirë edhe industrinë e makinave. Një kinez mund të shkojë në Hënë përpara një amerikani. Por diskutimi i “G2” tregon, që fuqia e Kinës është e vogël ndaj asaj amerikane. Filozofitë ekonomike të të dyja vendeve janë më pranë njëra-tjetrës sesa ishin më parë. Edhe pse Kina mbetet një shtet autoritar, Jan Xuetong, i Universitetit të Tsinghuas, shprehet se socializmi me karakteristika kineze (siç e quajnë kinezët vijën e tyre të komunizmit), po duket gjithnjë e më tepër si kapitalizmi me karakteristika amerikane. Sipas z.Jan, interesat e përbashkëta të Kinës dhe Amerikës në menaxhimin e krizës financiare, do t’i afrojnë të dyja vendet edhe strategjikisht. “Integrimi ekonomik global, - shprehet ai, - e ka bërë Kinën më të hapur se më parë për të pranuar dominimin amerikanë”. Kina që shohin shumë liderë politikë dhe biznesi amerikan është ajo që mbështet status kuo-në dhe që është e hapur për t’u angazhuar paqësisht me botën e jashtme. Por ka dhe një anë tjetër të mendimit. Nacionalizmi është një forcë në rritje e fuqishme dhe potencialisht shkatërruese. Shumë kinezë edhe ata që janë arsimuar në Amerikë, janë dyshues për qëllimet amerikane. Ata janë të bindur që Perëndimi, i drejtuar nga SHBA, dëshiron të bllokojë fuqizimin e Kinës. Ky vit shënon 30-vjetorin e rregullimit të marrëdhënieve midis Amerikës dhe Kinës, të cilat patën një zhvillim dramatik gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërmjet fitores komuniste në 1949 dhe vizitës së presidentit, Riçard Nikson, në Kinë në 1972, ka pasur një kontakt të vogël ndërmjet Amerikës dhe Koresë së Veriut në ditët e sotme. Por rënia e Bashkimit Sovjetik dhe zhdukja e tij si armik i të dy shteteve, ngriti pyetjen në të dyja vendet, nëse ato duhet të ishin mike këtej e tutje. Një nga përgjigjet do të ishte përfitimi i përbashkët ekonomik. Të dyja palët, janë përpjekur kohët e fundit për të forcuar marrëdhënien ndërmjet tyre, duke theksuar se ato kanë armiq të përbashkët, që prej epidemive globale deri tek terrorizmi. Por nga ana tjetër, ajo është një marrëdhënie e mbushur me kontradikta. Një zyrtar i lartë amerikan shprehet se disa prej marrëdhënieve të tyre me Kinën i ngjajnë atyre që kanë me Bashkimin Evropian, dhe të tjerat i ngjajnë atyre me Bashkimin Sovjetik, në varësi të burokracisë që ekziston”, - shprehet ai. Në fushën ushtarake vihen re ngjashmëri me kohën e luftës së ftohtë. Në 10-vjeçarin e fundit, fuqizimi ushtarak i Kinës ka qenë spektakolar, ashtu si edhe rritja ekonomike, duke evidentuar edhe më tepër çështjen problematike të Tajvanit, gjembit të madh në marrëdhëniet kinezo-amerikane. Ekziston një shqetësim në rritje në Uashington, që fuqia ushtarake kineze do të sfidojë dominancën amerikane në rajon. Kina këmbëngulë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Por edhe nëse lidershipi i saj nuk ka plan për ta zhvendosur fuqinë amerikane nga Azia, ky raport special do të tregojë se Amerika ka të drejtë të ketë frikë që kjo mund të ndryshojë. Politikisht, Kina është e paqetë për një periudhë të pacaktuar derisa të ndodhë ndryshimi politik në 2012 dhe 2013. Z.Hu dhe kryeministri, Ven Xhiabao, do të jenë dy nga politikanët që do të tërhiqen nga politika. Ndërkohë, Amerika do të kryeje zgjedhjet e saj presidenciale në 2012, dhe politika e saj e brendshme do ta komplikojë situatën. Nga ana tjetër, edhe në Tajvan do të mbahen zgjedhjet presidenciale në 2012, gjatë të cilave politikanët skeptikë kinezë do të luftojnë për të rifituar pushtetin.
Rrezik i trefishtë
Kjo pasiguri politike në të tria shtetet në të njëjtën kohë, përbën një sfidë të madhe për marrëdhënien ndërmjet Kinës dhe Amerikës. Të triave iu duhet të përballen me periudhën pas krizës financiare globale. Kinezët mund të jenë të qetë tani për tani, por problemet mund të vijnë më vonë. Ju Jongding, një ish-këshilltar i bankës qendrore të Kinës, shprehet se shpenzimet e panevojshme psh. në projekte të infrastrukturës (të cilat janë të shpeshta në Kinë), mund të zvogëlojnë fuqinë fiskale të vendit dhe të pengojnë rritjen ekonomike. Në javët e fundit, edhe liderët kinezë kanë filluar të kërkojnë kujdes rreth stabilitetit të fuqizimit ekonomik të Kinës. Ky raport special del në përfundimin se në vitet e ardhshme mund të ketë probleme për marrëdhëniet dypalëshe. Kina është e përfshirë nga tensione sociale. Protestat janë në rritje, korrupsioni dhe krimi gjithashtu. Lidershipi kinez është i frikësuar nga vetë qytetarët. Z.Obama i duhet të përballet me një Kinë që rrezikon të mbivlerësojë fuqinë e saj përballë Amerikës. Pasiguritë e saj sociale, politike dhe ekonomike mund të rrezikojnë stabilitetin e saj dhe marrëdhëniet e saj me botën.
(The Economist)
Përktheu: Androkli DraloKy lajm është publikuar: 08/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›