E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet, bilanc tragjik në të gjithë vendin

Autori i Lajmit: Redaksia
Një bilanc tragjik mund të numërojmë një ditë më pas, jo nga ndonjë grabitje apo masakër, por nga stuhitë e një nate më parë. Më shumë se 1500 hektarë tokë të përmbytura, dhjetëra apo qindra shtëpi në të gjithë vendin të zhytura nën ujë, 2 të vdekur dhe dy të mbijetuar nga një tragjedi. Mësohet se pas reshjeve të një dite më parë, qytete dhe zona të ndryshme në vend nuk kanë kaluar pa probleme. Në Laç dhe Mamurras 50 hektar tokë janë aktualisht nën ujë, si pasojë e reshjeve të shiut, në Lezhë, ndërsa niveli i ujit arriti 50-60 centimetra dhjetëra shtëpi janë “zgjuar” të përmbytura, si pasojë e kësaj stuhie në Kodrën e Sanxhakut ka pasur rrëshqitje dheu, aksi rrugor Milot-Kukës-Kosovë u bllokua për rreth 4 orë, në Durrës nën ujë janë gjendur rreth 25 banesa, rruga automobilistike, dy shkolla të qytetit, disa rrugë dhe një garazh i madh makinash, ku ngritja e nivelit të ujit rreth 0.5 metra mbetën të shkatërruara disa makina që gjendeshin në të. Në Kurbin u përmbytën rreth 800 hektarë tokë, në zonën e Nënshkodrës, pikërisht në fushën nga Torovica-Mali Jushit, deri tek ura e Ded Gjo Lulit në Velipojë, ku përveç disa banesave që gjenden të rrethuara në ujë janë përmbytur, të paktën 300 hektarë. Më tragjike ka qenë përmbytja në Sojnik të Gramshit, ku pas rrëmbimit të një makine xhip nga përroi i këtij fshati, humbën jetën 2 persona, ndërsa kësaj tragjedie i mbijetuan 2 të tjerë.

Tragjedia në Sojnik, konfirmohen dy viktima

Pas disa orësh përpjekje për të shpëtuar dy personat e bllokuar në makinën e përmbysur në lumin e fshatit Sojnik të Gramshit, policia konfirmon vdekjen e Ilir Memës 33 vjeç dhe mbesës së tij 17 vjeçare M.Rika. Mësohet se policia ka bërë të mundur nxjerrjen e makinës nga uji, ndërsa burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se 2 viktimat ndodheshin në sediljen e pasme të automjetit. Policia e Gramshit konfirmoi se drejtuesi i mjetit Eduart Kadiu dhe pasagjeri Artan Hysa kanë mundur të mbijetojnë duke dalë nga makina në momentin e përmbysjes së saj për shkak të rrjedhës së rrëmbyeshme të lumit. Mungesa e një ure në lumin e fshatit Sojnik ka detyruar drejtuesin e mjetit të fusë makinën në lumë për të kaluar në anën tjetër të tij. Katër personat që ndodheshin në automjetin me targa të Lushnjës ishin dasmorë që udhëtonin nga Griba në drejtim të Gramshit.

Laç

Situatë e rëndë na paraqitet në Laç dhe në Lezhë, ku si pasojë e rreshjeve të dendura që vazhduan dhe gjatë ditë së djeshme me intenstitet, janë përmbytur dhjetëra shtëpi. mësohet se zonat më problematike paraqiten Laçi e Mamurrasi ku rreth 50 ha tokë janë zhytur në ujë, si pasojë e bllokimit të kanaleve kullues. E njëjta situatë raportohet edhe në fushën e Kurbinit, ku zona është përmbytur plotësisht dhe ku dhjetra shtëpi janë mbushur me ujë.

Lezhe

Situatë kritike paraqitet edhe në Lezhë. Si pasojë e reshjeve, dhjetra shtëpi në Barbullojë të Lezhës ndodhen pjesërisht nën ujë. Mësohet se shkaku kryesor ka qënë mosfunksionimi i hidrovoreve, në këtë mënyrë situata ka dalë jashtë kontrollit dhe shirat e rënë gjatë orëve të fundit po përmbytin tokat. Niveli i ujrave në tokë fushore është rritur me 50 deri në 60 cm Banorët kanë pësuar dëmtime të mëdha, sidomos tek pajisjet elektroshtëpiake ndërkohë që janë strehuar në katet e sipërme të banesave ose tek të afërmit. Zona e Barbullojes përveç situatës së rëndë nga përmbytja po përjeton edhe mungesën e energjisë elektrike. Zona ka 3 ditë pa energji elektrike. Zyrtarë të pushtetit vendor kanë vizituar zonën, por ende asnjë ndërhyrje nuk është bërë për të përmirësuar situatën. Gjithashtu, në Kodrën e Sanxhakut ka pasur rrëshqitje dheu, ku janë shkëputur masive të mëdha. I gjithë vendi është përfshirë nga rreshjet e dendura të shiut, të cilat shkaktuan përmbytje të mëdha edhe në Durrës. Po për shkak të reshjeve një ditë më parë u bllokua aksi Milot-Kukës-Kosovë për rreth 4 orë. Aksi u bllokua nga reshjet në zonën e Rubikut, për shkak të mosfunksionimit të kolektorëve.
Reshjet e shiut, Durrësi zhytet nën ujë
Kishte 15 vjet që në Durrës nuk ishin regjistruar sasi të tilla reshjesh si ato të 2 ditëve të fundit, kur rrëketë e shiut nuk patën të sosur. Një situatë e tillë meteorologjike shkaktoi përmbytje në disa zona të Durrësit. Ndërprerja e energjisë elektrike vetëm për një orë mbrëmjen e së premtes, pasoi me ndërprerjen e funksionimit të hidrovorit të Porto-Romanos e për pasojë 25 banesa dhe rruga automobilistike u përmbytën. Të njëjtin fat me to pësuan edhe dy shkolla të qytetit, disa rrugë dhe një garazh i madh makinash.
Bilanci ishte 2 shkolla të përmbytura nga uji, i cili pushtoi oborret dhe katet e para të tyre. Bëhet fjalë për shkollën e mesme “Olsi Lasku” në Shkozet dhe për atë 9-vjeçare në Porto- Romano. Gjithashtu u përmbyt rruga e Spitallës (e cila është në proces riparimi) si dhe 25 banesa në zonën e ish-Kënetës në zgjatim të kësaj rruge. Shkak për përmbytjen e banesave ishte dalja jashtë funksionit e hidrovorit të Porto-Romanos për mungesë të furnizimit me energji elektrike. Ujërat e kanalit kryesor të Durrësit dolën nga shtrati i tyre dhe vërshuan në rrugë e nëpër oborret e banesave. Një situatë e tillë paralizoi pothuajse fare punën në portin detar të Durrësit, duke mos lejuar qoftë edhe për një orë të vetme hapjen e hambarëve të anijeve. Shtabi i emergjencës në nivel prefekture ka qenë në gatishmëri gjatë natës dhe në disa raste ka dërguar mjete pune për pompimin e ujërave nga katet e para të disa objekteve si dhe nga garazhi i përmbytur. Vetëm në orët e mesditës një pjesë e tyre u kthye në normalitet. Ndërkaq, në portin detar funksionoi vetëm terminali i trageteve në një kohë që sektorët e tjerë mbetën të paralizuar.

Kurbin, përmbyten 800 hektarë tokë

Mosfunksionimi i kanaleve kulluese në fshatrat Fushë Kuqe, Adriatik, Gjormë dhe Fushë Mamurras, janë shkaku i përmbytjeve të mëdha, në rreth 800 tokë hektarë, në rrethin e Kurbinit. Përmbytjet kanë përfshirë jo vetëm fushat por edhe banesat e fshatarëve, të cilët drejtojnë gishtin mbi institucionet që duhet të pastrojnë kanalet dh të vënë në punë hidrovoret. Në shumë raste banorët kanë vendosur bagëtitë e tyre në ballkonet e kateve të larta të banesave, pasi gjithçka pranë tokës është përmbytur. Hidrovoret nuk punojnë prej dy vjetësh, duke sjellë kështu situatë të ngjashme, sa herë që ka reshje shiu të vazhdueshme.

Shirat, përmbytje edhe në Shkodër

Shirat e rënë krijuan përmbytje të mëdha edhe në Shkodër. Problematike paraqitet situata në zonën e Nënshkodrës, pikërisht në fushën nga Torovica-Mali Jushit, deri tek ura e Ded Gjo Lulit në Velipojë, ku përveç disa banesave që gjenden të rrethuara në ujë janë përmbytur, të paktën 300 hektarë. Banorët e zonës japin alarmin se gjenden në rrezik për jetën dhe se qëndrojnë zgjuar gjatë natës nga frika e përmbytjeve. Sipas banorëve të kësaj zone të Shkodrës, shkaku i kësaj situate mbetet bllokimi i kanaleve kulluese.

Ky lajm është publikuar: 09/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›