E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, aksident spektakolar gjatë provave të Formula1

SHANGAI- Skuderia MekLaren ka dominuar provat e lira në çmimin e Madh të Shangait në Kinë, megjithatë ka qenë rrëzimi i pilotit të Toro Rosos Sebastian Buemi që ka tërhequr më shumë vëmendjen e spektatorëve. Ai ishte duke kronometruar kohën në provat e mëngjesit, kur të dyja rrotat fluturuan nga makina e tij Toro Roso me shpejtësi. Kjo bëri që Buemi të dilte nga pista dhe të përplasej fuqishëm me barrierat mbrojtëse, duke u kujtuar spektatorëve se sporti i Formula 1 mbetet ende shumë i rrezikshëm. Nga ky incident, provat u ndërprenë për 10 minuta. Për fat, piloti nuk pati asnjë problem, por kjo tregoi se njëvendëshet e Formula 1 duhet ende të përmirësohen në aspektin e sigurisë. Përsa u përket provave, Xhenson Baton dominoi në sesionin e parë të provave të lira, ndërsa Ljuis Hamilton në të dytin, duke treguar formën e mirë të MekLaren përpara kësaj gare. Makinat Ferrari nuk janë dukur aq mirë, ndërsa surpriza ishte Mikael Shumaker që zuri vendin e katërt në të dy sesionet.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›