E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mbyll vizitën në Maqedoni, “Qytetar Nderi” në Dibër

DIBER- Presidenti Bamit Topi ka mbyllur vizitën e tij në Maqedoni me një vizitë në qytetin e Tetovës dhe atë të Dibrës. Në ndalesën e tij në Tetovë, Presidenti u prit nga kreu i komunës Sadi Bexheti. Presidenti Topi vuri në dukje se shteti shqiptar është tepër i vëmendshëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni e kudo ndodhen dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që kanë të bëjnë me jetën, mirëqenien dhe ardhmërinë e tyre për zhvillim. Presidenti vlerësoi rolin moderues dhe konstruktiv të faktorit shqiptar për një rajon të qetë dhe të stabilizuar me një ekonomi të zhvilluar dhe vuri në dukje se brezat e rinj aspirojnë të jetojnë në paqe dhe harmoni.
Pas këtij takimi , Presidenti Topi vizitoi Universitetin shtetëror të Tetovës ku dhe u nderua me titullin më të lartë Dr Honoris Causa me motivacionin për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, shkencës dhe lirive akademike.
Vizita zyrtare e Presidentit të Republikës u përmbyll me një vizitë në qytetin e Dibrës ku u takua në selinë e komunës së këtij qyteti me kryetarin e saj dhe përfaqësues të tjerë lokale.
Vizita e Presidentit Topi në qytetin e Dibrës vijoi me ceremoninë për nderimin e tij me titullin Qytetar Nderi me motivacionin për merita të veçanta në promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe afrimin e popujve dhe të shteteve në rajon.
Presidenti Topi u shpreh se kjo ditë do të mbetej për të një vizitë e paharrueshme.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›