Policia e Afrikës së Jugut garanton: Botërori, i sigurtë
AFRIKE- Siguria mbetet sfida më e madhe për Afrikën e Jugut në Botërorin e këtij viti. Në një demonstim përpara mediave, policia e këtij vendi ka treguar se është përgatitur edhe për situata ekstreme që mund të krijohen gjatë zhvillimit të turneut në datat 11 qershor deri më 11 korrik. Sulmi u inskenua para stadiumit Elis Park Johanesburg, me një turmë të irrituar, e cila ka sulmuar kordonin e policisë me shishe, bomba artizanale apo sende të tjera të forta. Në të vërtetë, njerëzit e turmës ishin ushtarë të veshur me rroba civile, të cilët tentuan me çdo formë të çanin vijën e vendosur nga policët. Nga i gjithë sulmi, u thye vetëm një mbrojtëse plastike e forcave të policisë nga një raketë artizanale. I gjithë demonstrimi ishte krijuar që situata të dukej sa më realiste, duke parë edhe problemet e huliganëve në kompeticione të tilla. Në përfundim, Gjenerali i Policisë në Afrikën e Jugut, Beki Kele tha se tashmë policia e këtij vendi është gati. “Silleni që nesër Kupën e Botës, të paktën në aspektin e sigurisë jemi gati”, deklaroi gjenerali. Policia e Afrikës së Jugut është trajnuar prej muajsh nga ekspertë të Xhandarmërisë Franceze. Gjenerali Herve Niel, një nga drejtuesit e lartë në Ministrinë e Brendshme në Paris, deklaroi para mediave se forcat afrikano-jugore janë stërvitur me të njëjtat teknike që u përdoren në Francë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)