E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, skandali i qumështit të kontaminuar, 6 200 fëmijë të prekur

 

Kina vazhdon të jetë në alarm mbi skandalin e qumështit pluhur të fëmijëve, i cili ka rezultuar prej ditësh i kontaminuar me melaninë. Numri i foshnjave që kanë humbur jetën ka shkuar në tre, ndërsa mbi 6 200 të tjera janë të sëmura, dhjetëra në gjendje vërtet kritike për jetën. Lajmin e ka konfirmuar ministri kinez i Shëndetësisë, Chen Zhu, i cili pranoi se më shumë se gjashtë mijë foshnja janë sëmurur nga qumështi pluhur i kontaminuar. Kjo shifër është pesë herë më e lartë se njoftimi i mëparshëm i autoriteteve kineze. Kimikati toksik, i përdorur kryesisht në detergjente, melanina, ishte gjetur në 22 lloje qumështi pluhur të përhapur në mbarë tregun kinez si ushqim për foshnjat. Këto produkte tashmë janë ndaluar në të gjithë Kinën. "Qeveria kineze gjithmonë ka pasur një qasje shumë të përgjegjshme, kur është fjala për sigurinë e produkteve ushqimore. Ne po përfundojmë krijimin e sistemeve për sigurinë e ushqimeve dhe mbikëqyrjen e cilësisë dhe shpresojmë se, këto masa do ta garantojnë sigurinë ushqimore për konsumatorët tanë", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Jiang Yu. Mendohet se melanina është shtuar në qumështin pluhur për ta bërë këtë produkt që, në dukje, të ketë një nivel më të lartë proteine.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›