E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpia e Alfabetit (s) bëhet gati për 100-vjetorin

 

ANILA MEMA

100-vjetori i Kongresit të Manastirit, do të mbledhë bashkë studiues shqiptarë e të huaj. Përgatitjet për kremtimin mbarëshqiptar të këtij përvjetori të rëndësishëm të Alfabetit të Gjuhës Shqipe kanë nisur prej kohësh. Më 14 nëntor, mbushen plot 100 vjet nga “Kongresi i Alfabetit shqip”. Në Shqipëri akademikët do të mblidhen në një konferencë të gjatë shkencore, një aktivitet ky i përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe në bashkëpunim me Qendrën Albanologjike. Sipas nëndrejtorit të Qendrës Albanologjike dhe drejtorit të Institutit të Historisë në Shqipëri, Beqir Meta, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit në Shqipëri është menduar të bëhet dhe gjithë revizionimi i studimeve albanologjike dhe historike. “Përveç konferencës së madhe shkencore që do të bëhet në bashkëpunim me ASH, ku do të marrin pjesë studiues dhe historianë të njohur shqiptarë dhe të huaj, do të mbahet më pas edhe një konferencë në Ohër për Kongresin. Ndërkaq, një ndër projektet tona për këtë përvjetor është dhe revizionimi i veprave studimore, për të diskutuar rreth problemeve themelore që ato kanë, për nivelin shkencor, për metodat etj”, tregon Meta për gazetën.
* * *
Ndërkaq, Shkupi këto kohë është duke u punuar vrullshëm për kremtimin mbarëshqiptar të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Shtëpia e Alfabetit, parashikohet që të jetë njëri prej destinacioneve të kremtimit të 100-vjetorit të datës historike, që për herë të parë shtrihet që nga Tirana, në Prishtinë, Shkup e Manastir. Ka gjasa që shtëpia e rrënuar nga koha dhe nga neglizhenca, këto kohë t’i nënshtrohet një rikonstruksioni total, duke zhdukur ndërkaq pamjen e mjerueshme, që shfaqet që në fasadë. Por ende nuk dihet nëse simboli i datës historike së Kongresit të Manastirit, Shtëpia e Alfabetit do të jetë gati për të qenë pjesë e itinerarit të kremtimit mbarëshqiptar të 100-vjetorit të Kongresit. Nga mediat fqinje mësohet se, në Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë në Maqedoni pohojnë se, është jashtëzakonisht e vështirë, që të arrihet të realizohet restaurimi i ndonjë prej hapësirave të brendshme të ndërtesës, pasi koha në dispozicion nuk është e mjaftueshme. Aktualisht, nga projekti për kthimin në identitet të objektit, në një shtëpi muze, sapo ka përfunduar vetëm faza e parë e restaurimit të fasadës së objektit. Ndërsa, restaurimi do të vijojë edhe me tre faza të tjera, riparimi i çatisë, i interierit, si edhe i hapësirave që janë të uzurpuara nga pronarë të tjerë.
* * *
Nga ana tjetër, në gazetën “Koha” shkruhet se një tjetër problem për këtë ndërtesë, e cila pretendohet të kthehet në muze, qëndron në kontestin juridik me ish-pronarin. “Kjo është një prej arsyeve që ka zvarritur dhe pengon ndërhyrje në ato pjesë të shtëpisë, të përvetësuara vite më parë e që figurojnë me një pronar tjetër. Kreu i Drejtorisë së Trashëgimisë, Pasko Kuzman pohon ndër të tjera se edhe pse zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi i ka kërkuar personalisht përshpejtimin e punimeve dhe restaurimin e të paktën sallës kryesore, duket se shanset janë tepër të vogla”, shkruhet në këtë gazetë. “Restaurimi është një proces që do të zgjasë, shoqërohet edhe me shumë tenderë dhe formalitete që ngadalësojnë ritmin dhe është e vështirë, që deri në nëntor të mund të përfundojë qoftë edhe restaurimi i sallës kryesore”, pohon Kuzman. Punimet kanë nisur rreth katër muaj më parë, pas vendimit të Qeverisë dhe akordimit të një buxheti prej 14 milionë dinarë për përfundimin e projektit. Ndërkohë që konflikti pronësor vazhdon të mbetet i hapur. Ministria e Kulturës nuk arriti as atëherë dhe as tani të realizojë marrëveshjen me pronarin e katit përdhes, kompensimin e “pronësisë” në hapësira të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›