Thaçi: Fytyra e Serbisë për Kosovën është gjenocidi
Ndërsa Serbia po përpiqet me të gjitha forcat dhe me diplomatët e saj për të kërkuar mbështetjen e OKB-së, që çështja e pavarësisë së Kosovës të shkojë në Hagë, Kryeministri Thaçi kujton "fytyrën e gjenocidit". Në Nju Jork ka nisur tashmë sesioni i 63-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe dje Komiteti i Përgjithshëm Asamblesë shqyrtoi çështjet, që mund të futen për debat dhe në rend dite gjatë seancës së sivjetme, ndër të cilat do të jetë edhe iniciativa e Serbisë, që të marrë miratimin nga Asambleja e Përgjithshme që të kërkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë vlerësimin mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç u takua dje me Sekretarin e Përgjithshëm Ban ki Mun. Edhe presidenti serb tha se, iu ka dërguar letra të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ku kërkon mbështetje për iniciativën serbe. Çështja e dërgimit të kërkesës në Gjykatën e Hagës kërkon votën e mbi 100 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme. Ndërkohë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ta mbështesin dhe njohin Kosovën dhe të mos e përkrahin nismën e Serbisë kundër procesit të njohjes së Kosovës në OKB. Sipas Thaçit, as Serbia dhe askush tjetër nuk do të mund ta ndalë botën demokratike që ta njohë Kosovën e pavarur e sovrane. "Kemi të bëjmë me një iniciativë të Serbisë, por askush nuk duhet të befasohet me këtë nismë, sepse ne nuk duhet të presim iniciativa të mira në këtë kohë nga Serbia për Kosovën. Përkundrazi, gjithë bota e di se fytyra e Serbisë në raport me Kosovën është gjenocidi që ka kryer në Kosovë. Prandaj, do të kemi ende ballafaqime e vështirësi në procesin e njohjes, por ato nuk janë pengesa e vështirësi të patejkalueshme. Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s", tha Thaçi. Ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu tha se, çdo lëvizje e Serbisë drejt BE-së dhe NATO-s duhet të kushtëzohet me Kosovën, duke kujtuar se Beogradi "e ka borxh të domosdoshëm që të lërë Kosovën rehat".