Nis rikonstruksioni i minares së xhamisë
KORÇE - Shumë shpejt do të fillojë puna për ndërtimin e minares së xhamisë së Iljaz bej Mirahorit në Korçë. Ajo daton në vitin 1482 dhe përbën një monument të vjetër kulturor, që në llojin e saj është nga më të vjetrit edhe në Ballkan. Dy ditë më parë u krye edhe tenderi, i fituar nga firma zbatuese “Kaor” nga Shkodra, e cila është e specializuar për restaurime të objekteve të tilla të besimit mysliman. Mësohet se në përbërje të brigadës ndërtuese janë edhe restauratorë të ardhur nga Turqia, të cilët njohin dhe përdorin arkitekturën e vjetër të ndërtimit të minareve. Kjo do të mundësojë që minarja e kësaj xhamie të ndërtohet sipas identitetit të vjetër të saj. Drejtori rajonal i Kulturës në Korçë, Theodhor Theodhori, ka bërë të ditur se projekti i miratuar do të realizohet me një fond prej 12 milionë lekësh. Minarja do të lartohet 32 metra dhe ka një afat kohor për përfundimin e saj prej 60 ditësh. Por, komuniteti mysliman kërkon që dhe xhamia të rikonstruktohet, pasi gjendja e saj është tepër e amortizuar, që pas ndërtimit 526 vjet më parë. j.gj