E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria amerikane shpëton gjigantin,85 miliardë dollarë hua për AIG

 

Qeveria amerikane ka ndërhyrë për të shpëtuar nga falimentimi gjigantin e sigurimeve, AIG (American Investment Group). Rezerva Federale vendosi të japë një hua deri në 85 miliardë dollarë, por në këmbim qeveria do të marrë rreth 80 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Për ironi të fatit të saj, kompania që jep vetë 300 miliardë dollarë hua në banka në të gjithë botën, sidomos në Evropë u detyrua të dorëzojë në qeveri 80 për qind të aksioneve të saj, për vetëm një të katërtën e kësaj shifre. Sipas ekspertëve të Bankës Qendrore amerikane, ndërhyrja kishte shërbyer për të shmangur një dështim, i cili do të sillte ndërlikime zinxhir në ekonominë globale dhe atë amerikane. Kompania e amerikane e Sigurimeve, AIG, siguron shumë banka në të gjithë botën në rastet kur klientët e tyre nuk mund të shlyejnë kreditë e shtëpive. Falimentimi i ka kaluar fare pranë gjigandit amerikan të sigurimeve, ndërkohë që në bursat e Wall Street vlera e aksioneve të kësaj kompanie ra në nivelin më të ulët në historinë e saj. AIG nuk mundi të siguronte fonde nga investitorët, pasi kishte humbur dhjetëra miliarda dollarë duke qenë garantuese e kredive të shtëpive. Banka 158-vjeçare e investimeve "Lehman Brothers", e cila falimentoi dy ditë më parë, ia kaloi bizneset më të shëndosha të saj bankës britanike Barclays për afro dy miliardë dollarë. Me këtë marrëveshje Barclays bëhet banka e tretë më e madhe e investimeve në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›