Shiu i izolon nëpër banesa,një lagje pa drita dhe ujë
FIER – “Pushteti vendor duhet të marrë masa për të shmangur përmbytjet”. Ka qenë kjo kërkesa e bërë njëzëri nga banorët e një pallati në lagjen “16 Prilli”, të cilët prej dy ditësh janë izoluar në shtëpitë e tyre pasi sheshi përpara godinave është tërësisht i bllokuar. Sistemi i amortizuar i kanalizimeve ka bërë që gjithë uji i shiut të qëndrojë në vend duke e kthyer hapësirën përpara bllokut të banesave në një lagunë të vërtetë. “As me makina nuk kalojmë dot jo më në këmbë. E njëjta situatë është përditë në këtë lagje. Duhet të ndërhyjë bashkia se në të kundërt ngelëm brenda në shtëpi. Ka filluar shkolla dhe nuk i çojmë dot fëmijët. Sot që nuk po bie shi uji është më shumë se 30 centimetra, për të mos folur për baltën. U kalbëm. Përvit ndërrojmë plaçkat se kemi lagështi. As nuk na i blen njëri shtëpitë në këtë gjendje”, thonë banorët. Shqetësimi, sipas banorëve, është bërë evident dhe në organet e pushtetit vendor, por këta të fundit janë treguar mospërfillës përballë një situate të tillë. Sipas vetë banorëve, afrimi i stinës së dimrit i bën ata të ndihen të pasigurt pasi akumulimi i ujërave, veç bllokimit në shtëpi i lë pa drita dhe ujë. Kjo gjendje është e zakonshme për banorët e një blloku pallatesh në këtë lagje, por e pazgjidhur ende. m.r