Paskaljeviç, "muaj mjalti" pas premierës në Venecia
Paskaljeviç dhe stafi shqiptar i filmit "Honeymoons" mund të festojnë vërtetë muajin e mjaltit tanimë. "Tërësisht i kënaqshëm si drama ashtu edhe eksplorimi në zhvillimet më të thella social-politike, filmi "Honeymoon" i regjisorit dhe skenaristit serb Goran Pascalieviç, tregon për historinë e dy çifteve në përpjekje për t'u larguar nga Serbia dhe Shqipëria. Duke dhënë këndvështrimin e tij, jo mbi bazën e qëndrimi tepër cinik mbi problemet me të cilat përballet çdo komb, duket se kjo temë është e përshtatshme për të parin bashkëpunim mes dy vendeve". Kështu shkruan për filmin shqiptaro-serb, "Variety", një organet më të specializuara në industrinë e kinematografisë dhe show-bizit në përgjithësi. "Honeymoons" pati premierën e tij në Festivalin e Filmit në Venecia, në seksionin "Venice days", fillimisht për gazetarët e më tej edhe për një publik të gjerë. Në shënimin e vet për filmin, Leslie Felperin në "Variety" shprehet se "toni gati mistik që ndeshej në vepra të tjera të Paskaljeviçit ( "Si Herri u bë një pemë") është gati mungues, por zëvendësohet nga një regjistër më realist, vendosur këtu dhe tani". Më tej vijon se ndonëse filmi ndërtohet mbi dy linja paralele, çdo veprim zhvillohet në kohën e duhur, megjithë nevojën e shpjegimit të historisë nga ana e karaktereve. Linja shqiptare sillet rreth një familjeje të varfër provinciale. Tre vjet më parë, djali i madh Ilir u nis për në Itali me një barkë gome në kërkim të fatit dhe prej asaj kohe nuk ishte dëgjuar më me familjen. Nëna (Yllka Mujo) refuzon të besojë se ai është i vdekur, ndërsa i ati i Ilirit, Roku (Bujar Lako) dhe vëllai i vogël, Niku (Jozef Shiroka), heshturazi pranojnë këtë mundësi. Nusja e Ilirit, Majlinda (Mirela Naska), jeton në mesin e tyre, pa mundur të kthehet në familjen e saj për shkak të traditës, por ajo dhe Niku fshehurazi, ushqejnë ndjenja për njëri-tjetrin. Ata largohen drejt Italisë, ku nuk do ta kenë të lehtë. Ndërkohë, në Serbi, Marko një violonçelist profesionist (Nebojsha Milovanoviç) dhe gruaja e tij, Vera (Jelena Trkulja) gjithashtu lënë shtëpinë. Por, ata përballen pothuajse saktësisht të njëjtat probleme kufitare, ashtu si edhe Niku dhe Majlinda.