Pas vrasjeve, shtohen trazirat në Bangkok
Trazirat në Bangkok janë shtuar të dielën, pas dhunës më të madhe civile në këtë vend në 20 vitet e fundit, mes protestuesve këmishëkuq, që nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe Qeverisë, që vazhdon t’i injorojë zgjedhjet e reja. Gjatë protestave të së dielës, njerëzit mbanin në duar fotografitë e viktimave të dhunës së policisë një ditë më parë. Gjatë “betejës” që u zhvillua të shtunën në mbrëmje, policia tajlandeze dështoi të shpërndante demonstruesit, të cilët kanë rreth një muaj që këmbëngulin me protesta, duke i lënë pak mundësi administratës të përfundojë përballjen gjithnjë e më shumë destabilizuese. Numri i viktimave të dielën arriti në 21 dhe gati 900 persona të tjerë janë të plagosur, pas një nate kaosi me bomba gazi lotsjellës, të shtëna dhe shpërthime nga të dyja palët e armatosura dhe agresive. Konfrontimi i së shtunës u dha fund protestave shumëditëshe paqësore. Me ushtrinë dhe protestuesit të përgjakur e të zemëruar nuk është e qartë se cili do të jetë hapi i ardhshëm. Gjatë trazirave të tri viteve të fundit Tajlanda ka parë një grusht shteti ushtarak, muaj të tëra me protesta dhe mbylljen e aeroporteve të Bangkokut. “Nuk ka më negociata, - tha Jatuporn Prompan, një lider i protestuesve. - Edhe pse kemi shumë pengesa, detyra jonë është të sjellim demokracinë në këtë vend për të respektuar edhe kujtimin e viktimave”, shtoi. Në një fjalim në televizion, zëdhënësi i Qeverisë tha se trupat do të tërhiqeshin dhe Qeveria do të kërkonte një hetim dypartiak mbi dhunën.