E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kisha ortodokse hedh në gjyq komunën e Bradasheshit

29/04/2005  “Kryqi” i Qafë Krrabës, objekt i drejtësisë

ELBASAN - Kisha ortodokse ka vendosur të padisë komunën e Bradasheshit për vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit, në lidhje me zhvendosjen e kryqit të Fikasit. Kisha ortodokse në Elbasan ka depozituar ankesën pranë gjykatës së shkallës së parë me pretendimin për anulimin e vendimit të KRRT së komunës.

Katër muaj më parë, pas një debati të lindur në lidhje me ngritjen e një kryqi 9 metra të lartë, në anë të rrugës nacionale Elbasan-Tiranë, komuna ka vendosur që ky simbol fetar të zhvendoset pranë vendit ku pritet të ndërtohet një kishë në fshatin e Fikasit.

Ky vendim qetësoi komunitetin mysliman, i cili reagoi menjëherë pas vendosjes së kryqit, duke e cilësuar një shkelje të dinjitetit të besimtarëve të shumtë myslimanë të Elbasanit dhe të zonave të tjera.

Pas disa takimeve midis përfaqësive të komuniteteve fetare dhe komunës së Bradasheshit, u vendos me konsensus që kryqi të zhvendosej.

Seanca e parë gjyqësore ishte paralajmëruar të zhvillohej dje, por mosparaqitja e palëve ka bërë që gjyqtari Arben Vrioni të vendosë shtyrjen e seancës dhe rilajmërimin e palëve në çështje.

Në këtë zonë prej kohësh ekziston konflikti për kryqin. Kjo ndodhi menjëherë pas vendosjes së tij në anë të rrugës. Në fillim ata që reaguan kundër këtij veprimi ishin përfaqësitë myslimane, duke e quajtur nxitje me qëllim konflikti mes besimtarëve. Kryqi u vendos nga disa persona besimtarë të fesë ortodoske, të cilët e kanë mbështetur këtë akt mbi faktet historike për ekzictencën e një kishe ortodokse në atë vend shumë kohë më përpara se zona të cilësohej si tokë e besimtarëve myslimanë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›