E Diel, 1 Nëntor 2026

Kishte bërë luftë me karabinierinë arrestohet 28-vjeçari shqiptar

Edhe pse që prej 8 marsit të këtij viti, ishte një nga personat më të kërkuar në Itali, kishte arritur që në këto 6 muaj në mënyrë perfekte duke ndërruar shpesh banesat dhe qytetet, t‘i shpëtonte prangosjes. Por dje, pas informacioneve të sigurta, i riu shqiptar me inicialet K.L, i konsideruar si tepër i rrezikshëm nga policia italiane, është kapur në banesën e tij në lokalitetin e Teramos. Sipas njoftimeve të dala dje nga shumica e mediave italiane, karabinierët e Askolit kanë arrestuar një emigrant shqiptar, pasi akuzohet se është anëtar i një bande të dhunshme, e cila, përveç të tjerave, më datë 8 mars pas tentativës së një grabitjeje ka shkëmbyer zjarr me një patrullë policie në një postbllok. I arrestuari i djeshëm, 28-vjeçari shqiptar, K.L, është kapur brenda në banesën e tij në Martinsicuro (Teramo), pasi është rrethuar nga forca të shumta policore e gjithë lagjja ku ai strehohej. Po sipas mediave italiane, ai akuzohet për grabitje me armë, vjedhje të rënda dhe kundërshtim të policisë. Ngjarja e rëndë ku ngeli i vrarë edhe një pjesëtar i bandës shqiptare, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së 8 marsit në Komunën e Kastinjanos. Karabinierët morën një telefonatë nga një banore në këtë lokalitet, e cila i njoftonte se një grup të rinjsh kishin tentuar të hynin në banesën e saj për ta grabitur. Duke qenë se e moshuara ka dhënë alarmin edhe te fqinjët, grupi i grabitësve është larguar me shpejtësi me automjetin e tyre. Por ndërkohë, policët kishin ngritur postbllokun. Të rinjtë shqiptarë kanë tentuar të kalojnë me forcë postbllokun e policisë italiane, duke rrezikuar edhe shtypjen e tyre. Në këto momente, gjithmonë sipas medias italiane, është shkëmbyer zjarr mes karabinierëve dhe të rinjve, ku si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit 22-vjeçari Olsi Ferracaku, edhe ky shqiptar me precedentë të shumtë penalë. Anëtarët e tjerë të bandës, pasi kanë braktisur automjetin, duke përfituar edhe nga errësira, kanë mundur të largohen në këmbë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›