E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet e Rënda, tre procese për Bandën e Lushnjës

Banda e Lushnjës "pushton" Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gjatë vitit 2009 janë gjykuar tri procese paralele me njëra-tjetrën, me dhjetëra të akuzuar, ndërsa së fundi pritet të fillojë edhe gjyqi ndaj kapobandës Aldo Bare. Gjykata ka caktuar datën 21 korrik për të nisur procesin gjyqësor në ngarkim të Bares. Vendimi është marrë nga kjo gjykatë, pas formimit të trupit gjykues të çështjes ndaj tij, i cili përbëhet nga pesë gjyqtarë. Disa ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi veçimin e çështjes ndaj Aldo Bares nga ajo e të akuzuarit tjetër të Bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, i cili u procedua me formën e gjykimit të shkurtuar. Me këtë lëvizje, numri dy i Bandës së Lushnjës i shpëtoi burgimit të përjetshëm, ndërsa u dënua me 25 vjet burg. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Enver Dondollakun, duke e dënuar vetëm në tri seanca. Madje, në një seancë të vetme janë lexuar konkluzionet e prokurorisë, konkluzionet e mbrojtjes dhe dënimi përfundimtar i gjykatës.
Por një tjetër problem në këtë proces mund të jenë dëshmitarët, që janë të njëjtë për të tria proceset që po zhvillohen njëkohësisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shumë prej dëshmitarëve kanë hedhur akuza ndaj trupit gjykues, i cili shtyn gjyqet pa të drejtë. Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, disa javë më parë nuk pranoi të vijë në Shqipëri, pasi pretendonte se në vendlindje i rrezikohet jeta. Ai pranoi të ekstradohej në Itali, pasi atje i sigurohej se do të zhvillohej një proces ligjore. Ndërkohë, Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatori dhe drejtuesi i Bandës së Lushnjës, e cila akuzohet për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër to, disa vrasje të ndodhura vite më parë në Shqipëri. Aktualisht, Aldo Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij në vendin tonë. Shumë nga të akuzuarit si anëtarë të kësaj bande kriminale, janë arrestuar gjatë këtyre katër viteve të fundit në disa operacione të organizuara nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Disa nga të pandehurit e kësaj bande tashmë janë dënuar nga drejtësia, ndërsa të tjerë, janë nën procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas prokurorisë, ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, Aldo Bare ka akuzuar Artur Dajën. Për këtë arsye, së bashku me grupin e tij, ai ka tentuar disa herë për të vrarë Dajën. Në të ashtuquajturën Banda e Lushnjës fillimisht u mblodhën të pandehurit: Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të Aldo Bares dhe vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë. Në këtë periudhë, më datë 3 gusht 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shqiptaro-maqedonasi Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës, viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë, ata kanë qëlluar në drejtim të Xhevat Demirit. Më pas kanë vazhduar hasmëritë me bilance tragjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›