E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo dramë në përmbajtje ka rrëfimin mitik të dashur

Për herë të parë trupi teatror “Oda” do të udhëtojë për në SHBA, ku në teatrin “Blessed Unrest” do të shfaqë dramën “Doruntina”, të shkruar nga Ismail Kadare. Kjo dramë në përmbajtje ka rrëfimin mitik të dashurisë së ndaluar dhe rrezikun e besës, që nuk mund të thyhet kurrë. Florent Mehmeti, regjisor, tha të hënën gjatë një konference për median se shfaqja e kësaj drame do të bëhet në kuadër të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Teatrit “Oda” dhe Teatrit amerikan “Blessed Unrest”. “Ky është teatri i parë amerikan që do të bashkëpunojë me njërën nga teatrot nga Kosova. Ne në maj 2006, e kemi pritur teatrin “Blessed Unrest” në këtë skenë me një shfaqje origjinale “Lying”, në të cilën u inkorporua një aktor dy gjuhësor nga teatri “Oda””, - tha ai. Mehmeti tha se trupa teatrore, e cila do të niset për në SHBA pas dy ditësh, është përgatitur intensivisht për shfaqjen e dramës. “Edhe në Nju Jork do të jetë një periudhë intensive e provave dhe do të bëhet finalizimi i shfaqjes, duke filluar nga 9 deri më 26 tetor”, - tha ai. Lirak Çelaj, aktor, tha se teksti i shfaqjes do të jetë në anglisht dhe në shqip. “Shfaqja ka përmbajtjen e një martese që e refuzon traditën, një udhëtim i pamundur mbi kalë, një vëlla e sfidon varrin. Shfaqja është inspiruar nga legjenda shqiptare “Doruntina” e shkruar nga Ismail Kadare, ku jepet rrëfimi mitik i dashurisë së ndaluar dhe rreziku i besës që nuk mund të thyhet kurrë”, - tha ai. Suksesi i kësaj ndërmarrjeje u pasurua nga plani i dy teatrove për një bashkëpunim më të ngushtë në Nju Jork. “Doruntina” do të ketë dy bashkëregjisorë, nga drejtorët artistikë të dy teatrove, Jussica Burr nga teatri “Blessed Unrest”, si dhe Florent Mehmeti nga Teatri “Oda”, dhe do të ketë ekip aktorësh nga të dyja vendet. Aktorët do të luajnë nga dy vendet: nga teatri “Blessed Unrest”, Justin Badger, Zenzele Cooper, Dave Edson, Jason Griffin, Kelly Hayes, Laura Wickends, ndërkaq nga Teatri “Oda” Ilire Vinca Çelaj, Lirak Çelaj, Nentor Fetiu dhe Njomëza Ibraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›