E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurora labe

Festivali “Miqësia Folk” çeli mbrëmë siparin në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, si një veprimtari kulturore dhe element i rëndësishëm i një projekti për promovimin e veprimtarive kulturore-artistike në të dyja anët e kufirit, “si garanci për integrimin ndërkufitar”. Ky projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës dhe Bashkinë e Zagorisë, në zonën veriore të Greqisë, realizohet në kuadër të programit të fqinjësisë së mirë. Sipas koordinatorit të veprimtarisë, Stefan Arseni, projekti synon të nxitë zhvillimin e kulturës dhe artit mes zonave të Jugut të Shqipërisë dhe veriut të Greqisë. “Përmes kësaj veprimtarie synohet njohja më e mirë e urave kulturore që lidhin krahinat gjatë vijës kufitare”, - tha Arseni. Gjatë natës së parë të Festivalit të Muzikës Popullore, që u zhvillua në qendrën e lagjes “18 shtatori”, morën pjesë pesë grupe popullore - “Kurora Labe”, “Zëri i Bilbilit”, "Lazarati", “Gjirokastra”, “Kështjella Labe”, si dhe Akademia Muzikore e Janinës në Greqi. Shumëllojshmëria e tingujve dhe ngjyrave të pasurisë folklorike në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek vërshuan në skenën natyrore, në bulevardin kryesor të qytetit të Gjirokastrës, ku artistët popullorë, këngëtarë e instrumentistë, përcollën krijimet folklorike të trevave që përfaqësonin. I pari u ngjit në skenë grupi gjirokastrit “Kurora labe”, me iso-polifoninë e tij që u duartrokit ngrohtë nga dhjetëra artdashësit e pranishëm. Programi vazhdoi me grupin polifonik “Zëri i bilbilit”, i cili solli në Gjirokastër iso-polifoninë drithëruese të valëve të Jonit. “Shkumë të bardha deti bien si një vello nusërie”, ishte një prej refreneve të repertorit të këtij grupi natën e parë të festivalit “Miqësia Folk”.

Më pas në skenën e festivalit u ngjitën këngëtarët popullorë të Grupit të Tepelenës, me përshëndetjen e tyre “vijmë nga sofra e Bajronit dhe trualli i Ali Vezirit”.

Po mbrëmë, artdashësit e grumbulluar në bulevardin e Gjirokastrës duartrokitën dhe meloditë instrumentale të ekzekutuara me mjeshtëri nga nxënësit e Liceut Artistik të Janinës, të cilët treguan se motivet e folkut në të dy anët e kufirit, krahas elementëve që i dallojnë, kanë edhe pika të përbashkëta.

Grupi polifonik i Lazaratit, me këngën e tyre “Shqipëri tre vilajete” dhe ai “Kështjella labe”, nga Gjirokastra, që kënduan “Shokë në vdeksha nga kënga”, risollën në skenë motivet e pashtershme të iso-polifonisë popullore të Jugut.

Mbrëmja e parë e Festivalit “Miqësia Folk” u mbyll nga grupi polifonik i Cfakës (Gjirokastra), me një këngë polifonike të qytetit ku organizohet veprimtaria. Kënga “Gjirokastra në një pllajë”, e kënduar nga këngëtarët popullorë të këtij grupi ishte një përfaqësim i denjë i iso-polifonisë të qytetit të gurtë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›