Opozita si “standard” i rëndësishëm i integrimit
“Transparency International”, organizata me prestigjioze e monitorimit të nivelit të korrupsionit në botë, ka zhvleftësuar tërësisht përpjekjet e opozitës së majtë shqiptare për të mohuar rezultatet e qeverisë në sfidën kryesore, njëherazi edhe premtimi parësor elektoral i mazhorancës në pushtet, luftën kundër korrupsionit. Natyrisht që një vlerësim i tillë ka efekte për të gjithë shqiptarët, përfshi edhe opozitën që po bëhet qesharake në këmbënguljen e saj për të bindur shqiptarët se lufta antikorrupsion ka dështuar. Por nuk është vetëm TI ajo që po zhvleftëson përpjekjet destruktive të opozitës.
Institucione dhe personalitete të tjera ndërkombëtare kanë shprehur admirimin dhe mbështetjen e tyre për arritjet e Shqipërisë që është materializuar me përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në NATO dhe BE. Miratimi nga Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO është një vlerësim që gjithashtu shkon në kundërshtim me pretendimet e opozitës, pasi ai ishte i kushtëzuar me arritjen e disa standardeve ku antikorrupsioni ishte pa dyshim më kryesori.
Ka shume arritje të tjera në planin ekonomik dhe politik, por dua të përqendrohemi tek antikorrupsioni, pasi tek ky aspekt i qeverisjes Berisha është përqendruar e gjithë propaganda dhe lufta politike e opozitës së majtë. Nuk ka moment që opozita dhe mediat pro saj, të mos kenë si kryefjalë antiqeveritare “korrupsionin dhe dështimin e qeverisë në luftën kundër tij”. Mirëpo, duket se energjitë në përpjekjet për të mohuar rezultatet në pikën parësore të programit qeverisës të zotit Berisha kanë shkuar kot, pasi monitorimi ndërkombëtar ka vlerësuar të kundërtën, duke e lenë lidershipin opozitar me gisht në gojë. Nuk besoj që politikanet e opozitës të kenë guximin të kontestojnë edhe raportin e TI-së, megjithëse nuk është çudi, reminishencat e trashëgimisë “antiimperialiste” mund te riaktivizohen. Por gjithsesi, nihilizmi, për të mos thënë destruktiviteti i opozitës, bëhet i pavlefshëm për elektoratin që ka të gjithë të drejtën të besojë vlerësimet e institucioneve serioze si TI-ja. Por nuk duket se mjafton me kaq. Vlerësimi i TI-së shkon në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë dhe në kundërshtim me ato të opozitës edhe në të vetmen pjesë negative të raportit: “Nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi”. Nëse ka aspekt ku opozita është munduar të pengojë me të gjitha mjetet e mënyrat në dispozicion përpjekjet për reformat e qeverisë, është pa dyshim reforma në drejtësi. Për shkak të natyrës specifike të drejtësisë bashkëpunimi i opozitës është i domosdoshëm edhe për shkak të kushtëzimit kushtetues për ndryshimet ligjore në këtë pjesë të pushtetit. Pikërisht, këtë specifikë opozita e ka përdorur dhe po e përdor për të penguar apo vonuar në mënyrë të vazhdueshme përpjekjet e qeverisë për të reformuar sistemin e drejtësisë si pjesë thelbësore e programit të saj antikorrupsion. Pothuaj të gjitha reformat në këtë drejtim janë përballur me kundërshtimin deri në përplasje fizike të opozitës, frika e së cilës ndaj ndryshimit të satuskuosë së drejtësisë i tejkalon dukshëm kufijtë e luftës politike. Aktulisht, opozita dhe propaganda e saj mediatike, po kundërshton një ligj që synon reformimin e prokurorisë, një prej institucioneve më të akuzuara për korrupsion.
Në këtë situatë shihet qartë pothuaj gjithçka që opozita dhe mediat antiqeveritare kanë thënë e shkruar gjatë kësaj periudhe në lidhje me korrupsionin dhe raportin e qeverisë me të.
Pas këtij zhvleftësimi ndërkombëtar, kemi të gjithë të gjithë të drejtën të shikojmë si problemin më të madh shqiptar vetë opozitën. Duke vlerësuar në maksimum rolin e opozitës në një sistem demokratik, duhet të ndihemi keq për mungesën e një të tille, serioze e të besueshme në Shqipëri. Një opozitë e diskretituar, e pabesueshme dhe destruktive është pa dyshim një hall i madh për shqiptarët pa dallime politike. Nëse roli i opozitës në luftën antikorrupsion do të ishte pjesë e monitorimit dhe raportit të TI-së, pa dyshim do të ishte radhitur si problem kryesor, madje para drejtësisë.
Si përfundim, dua të theksoj se një opozitë kaq problematike nuk është fatkeqësi apo dështim vetëm i Ramës, Metës apo edhe mbështetësve të tyre, por i gjithë shqiptarëve. Jam i sigurt se me një opozitë serioze e konstruktive rezultatet në luftën antikorrupsion dhe reformat e tjera do të kishin qenë edhe më të mëdha. Të mos na rrejë mendja. Edhe opozita, funksionimi dhe politika e saj janë një standard i rëndësishëm për integrimin euroatlantik të vendit.