Ne, mësime për evropianët
Ministrat e Kulturës të rajonit të Evropës Juglindore kanë miratuar dje në unanim propozimin e ministrit shqiptar, Ylli Pango, për ta kthyer Shkollën e Restaurimit në Tiranë në një Qendër Rajonale të Restaurimit dhe Konservimit të UNESCO-s. Kjo është vendosur dje në Konferencës e 5-të Ministeriale për Trashëgiminë Kulturore në Vendet e Evropës Juglindore
Ne, mësime për evropianët
Suela Furriku
Nga një mungesë totale e mësimeve të restaurimit, tani pritet të shndërrohemi në një qendër rajonale evropiane. Ky kapërcim ka ndodhur dje, kur Ministri i kulturës, Ylli Pango, u ka propozuar ministrave të rajonit që shkollën e restaurimit në Tiranë ta kthejnë në një Qendër Rajonale Evropiane të Restaurimit dhe Konservimit të UNESCO-s. Miratimi ka qenë unanim nga të gjithë ministrat e Kulturës të mbledhur një ditë më parë në Konferencën e 5-të Ministeriale për Trashëgiminë Kulturore në Vendet e Evropës Juglindore, në Bukuresht.
“Qendra e Restaurimit ka nisur funksionimin në sajë të ndihmës financiare dhe teknike të qeverisë italiane dhe UNESCO-s, së shpejti do të kemi një brez të rinjsh të trajnuar me teknikat bashkëkohore të restaurimit, gjë që mungonte prej kohësh në vendin tonë”, - mësohet të jetë shprehur ministri Pango në këtë konferencë, për të vijuar se “duke marrë shkas nga ecuria e suksesshme e kësaj qendre, do të dëshironim që ajo të kthehet në një Qendër Rajonale e Restaurimit dhe shkëmbimit të eksperiencës së vendeve tona, ku dhe mësimdhënës dhe studentë të jenë specialistët tanë që jam i sigurt, kanë shumë për të shkëmbyer”. Ministri në fjalën e tij ka treguar gjithë gjërat që kanë ndodhur për herë të parë në vendin tonë në fushën e trashëgimisë kulturore, duke kujtuar pranimin e Beratit në UNESCO, krijimi i së parës zyrë të administrimit në Gjirokastër, krijimin për herë të parë të një strukture në MTKRS, siç është Agjencia e Shërbimit Arkeologjik etj.
“Në sajë të përvojës së vyer të profesorëve, por dhe teknicienëve që ndihmuan për mirëfunksionimin e saj në përgjithësi, (të cilët shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar), ne së shpejti do të kemi edhe një brez të rinjsh të trajnuar me teknikat bashkëkohore të restaurimit, gjë që mungonte prej kohësh në vendin tonë. Duke marrë shkas nga ecuria e suksesshme e kësaj qendre, do të doja të shtroja këtu një propozim, që shpresoj të gjejë edhe mbështetjen tuaj, të cilin e kemi përpunuar prej kohësh. Do të dëshironim që kjo Qendër Restaurimi të kthehet në një Qendër Rajonale e Restaurimit dhe shkëmbimit të eksperiencës së vendeve tona, ku dhe mësimdhënës dhe studentë të jenë specialistët tanë që jam i sigurt, kanë shumë për të shkëmbyer”, - ka thënë Pango.
Duke shfrytëzuar pozitën gjeografike të Shqipërisë, Pango u ka treguar ministrave të Evropës se do të ishte më e lehtë kryqëzimi i qytetërimeve (domethënëse kjo për specialistët e fushës) duke e bërë më atraktive këtë qendër, e cila, “sipas konceptit tonë, të jetë jo vetëm qendër edukuese por dhe një “laborator” i vërtetë bashkëpunimi prej nga të gjenerojnë ide, projekte dhe punë konkrete”.
“Shpresoj dhe besoj dhe njëherë se me ndihmën e autoriteteve të UNESCO-s, qeverisë italiane dhe të shtetit shqiptar, ky propozim do të kthehet në një realitet të prekshëm dhe të frytshëm për të gjithë ne”.
Duke i vlerësuar këto arritje me modesti në krahasim me sfidat e së ardhmes, rrugën e hapur dikasteriale Pango ua ka dorëzuar ekspertëve, të cilët do të jenë konkretizuesit e projekteve të përbashkëta. “Së dyti, do të doja të shprehja edhe një herë angazhimin tonë për rifreskimin e Planit të Veprimit të Konferencës së Mostarit, duke pasqyruar edhe realitetet e reja apo problematikën e fundit të hasur gjatë implementimit të saj. Në këtë vijë, përshëndesim Deklaratën e Bukureshtit duke u shprehur plotësisht dakord me të”, - ka përfunduar Pango fjalën e tij në mbledhjen e ministrave të Evropës Juglindore.
Të gjithë Ministrat e Kulturës së Shteteve të Evropës Juglindore, pjesëmarrës në këtë takim të rëndësishëm për trashëgiminë, janë shprehur paskësaj të bindur se institucioni i propozuar nga pala shqiptare, do të kontribuoje fuqimisht në mbështetjen e trajnimit të mëtejshëm dhe ndërtimit të kapaciteteve në këtë sektor specifik për të gjithë rajonin.
Kjo shkollë e krijuar vitin e kaluar me pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha dhe me mbështetjen e qeverisë italiane dhe UNESCO-s aktualisht funksionon në nivelin pasuniversitar të studimeve me kohëzgjatje 18 muaj dhe ka të regjistruar studentë shqiptarë që po njihen nga afër me teknikat e restaurimit. Parashikohet që me kthimin e saj në një institucion pasuniversitar rajonal evropian, lektorë e studentë shqiptarë e të huaj të kenë mundësi të studiojnë dhe restaurojnë me kriteret më të avancuara të kohës monumentet e shumta të kulturës kudo në territorin e Shqipërisë.