E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet laboratori i drogës, kapen 900 kile dhe presa

• Plot 900 kg lëndë narkotike e një pajisje metalike që dyshohet se përdorej për presimin dhe paketimin e drogës u bllokuan dje nga policia, ndërsa një person u shpall në kërkim si pronar i tyre.SHKODER/ RITVAN DIBRASikurse mësohet, prej kohësh efektivët e policisë në komisariatin e Malësisë së Madhe kishin marrë sinjalizime në rrugë operative në lidhje me veprimtari të paligjshme të 25-vjeçarit Bahri Delaj 25 vjeç, banues në fshatin Jubicë të këtij rrethi. Nisur nga këto dyshime, rreth orës 15:30 të ditës së djeshme është organizuar një operacion në shkallë të gjerë, me angazhimin e sektorit antidrogë të policisë së Shkodrës. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Delaj, uniformat blu kanë arritur që të zbulojnë dhe më pas të sekuestrojnë 896 kg (të paketuar në 106 thasë) lëndë bimore e thatë, me ngjyrë dhe erë karakteristike të lëndës bimore kanabis sativa, si dhe një sasi prej 997 gramësh bimë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit marijuanë. Gjithashtu në banesë u gjet dhe një pajisje metalike në forme U–je, e cila dyshohet se shfrytëzohej nga Delaj për të bërë presimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Këtë konstatim e ka përforcuar akoma edhe më shumë gjetja e 42 rrotullave me letër ngjitëse natriban, të cilat mendohen t’i kenë shërbyer të riut për të mbështjellë lëndën narkotike të presuar. Njëkohësisht në banesë janë gjetur edhe 2 thika dhe 1 palë doreza. Megjithë që policia ka zgjedhur orarin e drekës si kohën më të përshtatshme për të organizuar kontrollin, me qëllim që në banesë të gjendej edhe i zoti i shtëpisë, ky i fundit nuk është gjetur, duke i shpëtuar prangosjes. Menjëherë është bërë shpallja e tij në kërkim me akuzat e “prodhimit, fabrikimit dhe shitjes së bimëve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›