Shenjat e gishtave, instalohet në rrethe rrjeti i informacionit kriminal
• TIRANE - Prej ditës së djeshme policia shqiptare do të ketë sistemin e saj të transmetimit të të dhënave kriminale në distancë në një rrjet të veçantë.Dje në pasdite në ambientet e hotel "Rogner", është kryer edhe prezantimi i përfundimit të projektit të mësipërm, i kryer nga specialistë të informatikës së policisë austriake. Specialistë të kësaj policie kanë qëndruar për më tepër se dy vite në Shqipëri, për të instaluar pajisjet e nevojshme dhe aparaturat e transmetimit të të dhënave dhe informacionit kriminal. Sipas projektit, të realizuar tashmë, specialistët e Policisë Kriminale dhe të gjithë komisariatet e policisë në vend, do të kenë në dispozicion të dhëna të sakta dhe informacion për çdo person që policia shqiptare ka shoqëruar në ambientet e saj. Po kështu projekti synon edhe hedhjen e të dhënave të të gjithë personave të dënuar në vend, ndaj të cilëve janë dhënë vendime të formës së prerë, vuajnë dënimin, apo janë nën hetim. E njëjta gjë, pritet të kryhet edhe me personat e shpallur në kërkim nga policia, të cilët hetohen për krime apo vepra të ndryshme penale. Ky sistem, do të ndihmojë oficerët e policisë në të gjithë vendin, si dhe në pikat e kalimit kufitar, të punojnë me lista elektronike të personave të kërkuar, apo që dyshohen për vepra të ndryshme penale. Rinovimi i listave të të kërkuarve, do të kryhet në mënyrë automatike në rrjet, nga një prej njësive të policisë në vend që do të kërkojë një person. Kjo do të bënte shpërndarjen e menjëhershme dhe të njëkohshme të informacionit dhe të dhënave të një personi të caktuar në të gjithë vendin. Kjo do të kryhet në mënyrë elektronike, duke shmangur në këtë mënyrë edhe procedurën e gjatë që ndodh zakonisht në shpërndarjen me telefon, apo me faks. I gjithë projekti ka kushtuar rreth 950 mijë euro, është financuar nga BE- ja dhe është realizuar nga specialistë të policisë austriake. Në ceremoninë përkatëse, të organizuar në hotel "Rogner", ka qenë i pranishëm edhe kreu i policisë austriake Dr. Erik Buksbaum (Erik Buxsbaum), homologu Prençi, si dhe ministri i Brendshëm shqiptar, Bujar Nishani. Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit, kanë qenë edhe specialistët austriakë dhe ata shqiptarë. Nishani e Prençi, kanë falënderuar austriakët për ndihmën, ndërsa kanë kërkuar që projekti të vazhdohet për një periudhë të caktuar, me qëllim trajnimin e personelit shqiptar që do të punojë në sistem. d.b