“Kjo ekspozitë, model i ri qytetërimi në Tiranë, u mbyll gojën skeptikëve”
Plani urbanistik - Basha vlerëson punimet e studentëve dhe pedagogëve të Inxhinierisë
Kryebashkiaku Basha u shpreh entuziast për këto punime të prezantuara, duke i cilësuar si vullkan energjie dhe talenti në zemër të Tiranës. Këto ide të punuara me kujdes ofrojnë një model të ri qytetërimi tha kryebashkiaku Basha, modern në mënyrën se si janë ndërthur e shkuara me të tashmen dhe të ardhmen. Qytetari i parë i Tiranës theksoi se këto punime i japin përgjigjen më të mirë të gjithë skeptikëve dhe atyre që nuk besojnë në ndërtimin e Tiranës moderne.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ndoqi dje nga afër, studimet që u kanë bërë pjesëve të ndryshme të Tiranës, studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Inxhinierisë. Duke vlerësuar punën një vjeçare të bërë për realizimin e këtyre projekteve, kryebashkiaku Basha theksoi se kjo është përgjigjja më e mirë, që studentët e Universitetit Politeknik u japin skeptikëve që mendojnë se qyteti ynë nuk bëhet.
Basha nënvizoi se këto projekte dëshmojnë se së bashku, do të ndërtojmë Tiranën Evropiane.
“Ju jeni forca e qytetit të Tiranës, energjia e qytetit të Tiranës dhe ura e sigurt drejt të ardhmes moderne europiane të qytetit tonë!, tha Basha, i cili shtoi se, projekti i Bulevardit të Ri dhe lumit të Tiranës, sikundër edhe Plani Urbanistik që ne do të shpallim nesër, për t’i hapur rrugën një procesi konsultimi me të gjithë qytetarët e Tiranës dhe grupet e interesit dhe më gjerë, sepse Tirana nuk është vetëm qytet, është edhe kryeqendra e kombit, ka si synim të ofrojë një model të ri qytetërimi, një qytet modern dhe evropian. Tirana evropiane do të thotë Tirana e qytetarëve dhe ky është standardi i Tiranës Evropiane, që ne synojmë me projektin e Bulevardit, që ne synojmë me Planin e Ri Urbanistik dhe që unë prapë e pashë të shpalosur sot në punimet tuaja, këtu në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit”.
Kryetari i Bashkisë theksoi se asnjë nga këto punime nuk do të ishte i mundur, nëse mungon besimi tek e ardhmja e qytetit tonë:
“Asnjë nga këto punime nuk do të ishte i mundur thjesht me aftësitë tuaja, që pa dyshim janë aftësi shumë të mira projektuese, me të gjithë kapacitetet që ky Fakultet, ndër më të vështirët e botës universitare kërkon nga ju, që nga shkencat, disiplinat bazë deri tek talenti juaj për t’i derdhur ato në letër, por kjo nuk mjafton dhe nuk kishte për të mjaftuar, nëse ju nuk do të kishit investuar në këto punime shpirtin tuaj, dashurinë tuaj për qytetin dhe bindjen tuaj se së bashku do ia dalim, të kapërcejmë këtë hendek, nga realiteti i sotëm, tek Tirana që po projektojmë për 20 vitet e ardhshme dhe ky është burimi më i madh i shpresës, për qytetin e Tiranës, i besimit të qytetarëve të Tiranës, besim i cili qëndron në themel të asaj që qyteti ynë rrezaton. Unë nuk do të resht së punuari së bashku me stafin tim, që asnjë centimetër kub i kësaj energjie, kësaj shprese, i këtij vizioni dhe force që ju përfaqësoni të mos shkojë kot, të mos derdhet as në lumin e Lanës, as në atë të Tiranës, por të jetë pjesë e forcës, vizionit me të cilët po i përvishemi punës për Tiranën e shekullit të 21-të”, përfundoi Basha.