Lulzim Basha prezanton sot Planin Urbanistik të Tiranës
Formula e zhvillimit të kryeqytetit do të orientohet drejt konceptit policentrit. Tirana do të kthehet në një metropol me pesë pole zhvillimi dhe dy qendra të tjera
Arkitekti Flamur Kuçi, drejtuesi i grupit teknik për konceptimin e Planit Territorial të Tiranës dhe këshilltar i Kryeministrit për çështjet urbane, detajon planin e ndarjes së Tiranës në disa pole zhvillimi.
Sipas tij, plani urbanistik tenton të sjellë barazi në skemën e zhvillimit të pronës, përmes një formule menaxhimi. Me planin e ri, kufijtë administrativë nuk do të ndryshojnë, por do të futet një metodologji e re e planifikimit urban, duke mos përjashtuar bashkitë dhe komunat përreth.
“Tirana për vite ka vuajtur nga fakti që ka vetëm një qendër. Të gjithë njerëzit, në një rreze rreth 3 km ose më tepër, detyrohen që t’i marrin të gjitha shërbimet e tyre në të vetmen qendër dhe kjo me shumë pak shërbime. Plani i ri sugjeron që formula se si duhet të zhvillohet Tirana, duhet të bazohet në konceptin policentrik të qytetit. Kjo do të thotë që duhen formuar disa qendra. Me qendra ne kemi parasysh ato pole zhvillimi, ku duke futur investimet publike, duke dhënë funksione shoqërore, rekreative, etj, të shërbejnë si qendra ku njerëzit të marrin shërbimet e tyre dhe nuk kanë nevojë që të përshkojnë një rreze 3-4 km për të marrë këto shërbime. Kjo do t’i japi Tiranës dhe një fizionomi më të larmishme zhvillimi, sepse nuk mund të jetë një qytet prej 1 milion banorësh, i zhvilluar vetëm në aktivitetin ndërtimor të strehimit, por duhet pasuruar me shërbime, infrastrukturë, cilësi shërbimesh dhe jetese për banorët. Për këtë janë parashikuar pesë qendra të reja. Njëra është poshtë stacionit të trenit, që është konceptuar me funksione publike, administrative, rekreative. Është pjesa lindore e Tiranës, që është pjesa e spitaleve. Ky pol do të ketë funksione që do t’i shërbejnë shëndetësisë, sepse është qendra e spitaleve, por do të pasurohet edhe me shërbime të tjera tipike për qendrën. Poli i tretë do të jetë qendra e Qytetit të Studentit, ku tema kryesore është arsimi, por do të pasurohet me shërbime të tjera publike. Poli i katërt do të jetë pjesa e digës së liqenit që përgjithësisht domeni kryesorë do të jetë me funksione rekreative. Dhe poli i pestë do të jetë pjesa e fushës së aviacionit, ku do të synohet që të futen aktivitete biznesi, administrative, rekreative. Përveç këtyre pesë poleve do të jenë edhe dy qendra në një largësi pak më të madhe nga qendra e Tiranës; është Kombinati, ku sipas variantit të propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, sugjerohet ndërtimi i një fshati dhe Universiteti i Kamzës, ku mendohet që tema kryesore të jetë arsimi, me krijimin e një kampusi të ri universitar për disa disiplina arsimore”, u shpreh Kuçi.
Në planin e ri urbanistik një vend të rëndësishëm zë formula e menaxhimit të pronës, çka do të thotë që pavarësisht, nëse plani pjesor urbanistik do të parashikojë lulishte, pallate në funksione publike, shoqëror apo privat, të gjithë pronarët e truallit, do të duhet që të shpërblehen si rezultat i zhvillimit të kompleksit të banimit. Formula e menaxhimit të pronës tenton të sjellë një lloj barazie në skemën e zhvillimit të pronës. Plani Urbanistik është një produkt i ekspertëve më të mirë të urbanistikës dhe arkitekturës, ku në thelb të tij është një model i ri qytetërimi për qytetin e Tiranës, ku ndërthuret tradita me më të arrirën e modernes dhe bashkëkohores. Një provë e madhe për këtë ishte Konkursi Ndërkombëtar për Bulevardin e Ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, një projekt që prek një të pestën, pra 20 për qind të territorit të Tiranës dhe po kështu edhe territore nga komunat përreth.