Pronat, debate në Kuvend - Jozefina Topalli: Opozita, në krizë të rëndë morale
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës dje në parlament, duke i cilësuar ato si fabrikime që vijnë nga kriza e rëndë morale e selisë rozë dhe lidershipit të saj
Seanca e djeshme në kuvend është zhvilluar me debate të ashpra për sa i takon projektligjit që lidhen me çështjen e pronësisë së tokave bujqësore. Opozita akuzon qeverinë se po synon të përvetësojë tokat e 8 mijë familjeve në bregdet, nëpërmjet nismës për titujt e pronësisë.
Sipas deputetit Erjon Braçe abuzimi shtrihet në 110 milion metra katrorë tokë, për t’ia kaluar ato një grupi njerëzish. Por ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili ishte iniciatori i nismës ligjore tha se drafti as nuk krijon ndarje të re të tokës dhe as prodhon tituj të rinj pronësie.
Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu kishte ende disa vërejtje mbi projektligjin, i cili, siç tha ai nuk jep ende drejtësi për çështjen e pronës. “Do na duhen 3500 vjet për të kompensuar pronarët, fatura për pronaret është 30 miliardë dollarë”, tha Mediu.
Në këtë moment Eduard Shalsi i bëri thirrje Mediut të kërkonte falje shqiptarëve që nuk ka bërë asgjë për çështjen e pronave. “Ministri Mediu nuk di ça bën 20 vjet me Berishën, ndërkohë që parimi themelor i partisë së tij janë pronarët. Sot minimumi që duhet të bënte ishte t’i kërkonte ndjesë shqiptarëve se është në aleancë pa kurrfarë parimi dhe sapo e pohoi”, tha Shalsi.
Më pas, debatet diskutimet dolën jashtë rendit të ditës, kur socialistët akuzuan ministrin Mediu për shpërthimin e Gërdecit.
Në rolin e zhurmuesit, Eduard Shalësi tha se “Unë kam dy vjet në politikë, kurse t’i ishe ministër në kohën që u vranë 26 shqiptarë në Gërdec dhe duhet të ishe kokulur”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Mediut, i cili ka sqaruar se ka pasur dhe do të ketë gjithnjë kurajën për t’u përballur me drejtësinë. “Ty dhe gjithë të tjerëve po ju them, të kishe pasur minimumin e kurajës për t’u përballur me drejtësinë. Kam kërkuar të zbardhej ajo që ka ndodhur. Mos bë kukuvajkën kot për këtë çështje, unë s`e kam fshehur veten, por ju jeni kthyer në aktor absurd në Kuvend. Kam një dhimbje dhe ajo është morale se kam qenë në atë pozicion, në kohën e ngjarjes. Jam përballur për vite me atë çështje dhe me turpin tuaj për atë që nuk është e vërtetë”, u shpreh Fatmir Mediu.
Në këtë moment ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit, e cila iu drejtua përfaqësuesve të opozitës në Kuvend, se duhet të kërkojnë falje për akuzat, pasi përkundër gjithçkaje propozuan për anëtar të KLD-së, avokatin e Fatmir Mediut në çështjen “Gërdeci”. “Kërkoni falje se keni akuzuar qeverinë, mua, kryeministrin se kanë vrarë njerëzit në Gërdec, ndërkohë që gjykata e faktoi se ishte aksident. Jeni në krizë të rëndë morale. Ju avokatin e “Gërdecit” e emëruat për nënkryetar të KLD-së. Më e madhja që ka pas politika në 20 vjet dhe pastaj ikni se nuk jeni burra”, u shpreh Topalli.
Kuvendi miraton me 68 vota “pro” ligjin për “tokat bujqësore”
Kuvendi miratoi dje enjten me 68 votat e deputetëve të mazhorancës projektligjin që lidhet me çështjet e pronësisë së tokës bujqësore. Opozita abstenoi, ndërsa tre deputetë votuan kundër. Seanca e djeshme u shoqërua me debate pozitë-opozitë, ku kjo e fundit u shpreh kundër, duke akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri në zgjidhjen e çështjes së pronësisë e sidomos për atë që e cilësoi grabitje të pronës në zonat bregdetare në jug të vendit. Ndërsa ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, tha se çështja e pronarëve të ligjshëm është elementi i parë që duhet të kemi sot në raport me pronën private. “Ne duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, por kemi harruar të respektojmë të drejtën thelbësore që është ajo e pronës private. Ky duhet të ishte debati politik sot në parlament që ne të fitojmë statusin. Këto ligje, pavarësisht diskutimit pozitiv, thellojnë antikushtetueshmërinë që është vendosur që në fillim të demokracisë shqiptare dhe që vazhdon sot me ligje si ai me nr. 7501 ose me nr. 8350 për fermat bujqësore”, u shpreh ministri Mediu, njëherazi kryetar i Partisë Republikane, e njohur për qëndrimet e saj në mbështetje të pronarëve.
Sipas tij, të gjitha abuzimet e bëra sot me ligjin e pronave politika duhet t’i japë zgjidhje konsensuale, për të respektuar të drejtën e pronës, që pronarët e kanë fituar me gjak dhe nuk ua ka falur kush. Mediu theksoi se projektligji për tokën bujqësore zvogëlon mundësinë e kompensimit fizik, pasi, sipas tij, sot jemi koshientë se nuk ka më asnjë pëllëmbë tokë pasi ajo është zaptuar, ndërsa fatura financiare e kompensimit për pasojë është akoma më e lartë. “Kjo faturë duhet të llogaritet, pasi shlyerja e detyrimeve financiare karshi pronarëve është minimale. Do të duheshin rreth 3500 vjet për t’i kompensuar pronarët me ritmet e tanishme të kompensimit, ndërsa fatura financiare e këtij procesi llogaritet në rreth 30 miliardë dollarë nëse ecim me kalkulimet e sotme”, tha Mediu.
Në përfundim, Kuvendi votoi me 68 vota “pro”, 3 kundër dhe 55 abstenime. Gjithashtu, në seancën e djeshme ligjvënësit miratuan me 71 vota dhe projektrezolutën “Për veprimtarinë e Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2011”.