E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, kapet me eksploziv në derën e shtëpisë së ish-gruas

 

VLORE - Tentoi t’i vinte lëndë plasëse banesës së ish-bashkëshortes, arrestohet. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, Josif Marko, 47 vjeç, banues në lagjen “24 maji” të këtij qyteti, rreth orës 19:00 ka shkuar në banesën e ish-gruas së tij dhe e ka kërcënuar. Pasi ka goditur me shkelma derën e shtëpisë së saj, ai e ka kërcënuar atë se do ta hidhte në erë. Gruaja e alarmuar dhe e frikësuar ka njoftuar policinë, e cila nuk vonoi të shkonte dhe të verifikonte sinjalizimin e marrë në sallën operative. Blutë arrestuan në flagrancë 47-vjeçarin, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet në xhepat e xhaketës një sasi lënde plasëse, një fitil zjarr përcjellës, si dhe një detonator. Ai akuzohet për kanosje, prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake si dhe mbajtje të municioneve pa leje. Sipas policisë, shkak për këtë ngjarje ishte bërë mospranimi i ish-gruas për t’u bashkuar sërish me Markon. Një vit më parë, një tjetër precedent i ngjashëm ndodhi në Vlorë, ku një burrë i vuri lëndë plasëse banesës së ish-bashkëshortes, por për fat të mirë pati vetëm dëme materiale. Sipas policisë, Josif Marko ka qenë i dënuar edhe më parë, më 27 muaj, burg për sjellje të pahijshme.         q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›