Tirona e vjetër, ashtu si e njohin qytetarët
Alma Mile
Ajo nuk është Tirana me sytë e udhëtarëve të huaj, por si e shohin qytetarët e saj. Me Pazar, xhami, rrugët e ndërtuara në kohën e Italisë, me dasma e gëzime familjare. Dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u hap një ekspozitë modeste me fotografi të Tiranës së vjetër. “Unë të dua Tirona”, ishte ekspozita e hapur nga Njësia Bashkiake 10, e drejtuar nga Gerti Bogdani, me rastin e 17 Nëntorit, çlirimit të kryeqytetit nga nazifashistët, por edhe dekorimin e disa prej familjeve të njohura tiranase. Në hapjen e saj merrte pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si pinjoll i një prej familjeve më të hershme të kryeqytetit. “Tirana gjithnjë ka qenë një mjedis i qytetarisë, ku kanë lulëzuar intelektualët e vërtetë, ku janë zhvilluar shumë ngjarje historike. E përgëzoj këtë iniciativë për ta kthyer Tironën ashtu siç ka qenë, me memorien e vet, për të na kujtuar identitetin dhe rrënjët tona, për të cilin jemi aq krenarë”, tha Presidenti. Ekspozita, e hapur në një nga anekset e MHK-së (që sheh nga Hotel “Tirana”), nuk ekspozon fotografi të mëdha të Tiranës së vjetër. Ato karakteristiket që jemi mësuar t’i shohim rëndom. Tirana vjen përmes fotografive që familje të njohura “tironse” kanë ofruar për t’i ekspozuar. Janë Mokinët, Beshirët, Bogdanët, Hoxhallët, Carat, Ballabanët, Bytyçët, Pepat, Gjuzët, Furrxhinjtë, Malokët, Likat, Huqët, etj., që kanë hapur albumet e tyre familjare për bashkëqytetarët, për ata që e kanë njohur Tironën e vjetër, por edhe për ata që njohin vetëm të renë. Janë aty me prindër e gjyshër, me kostume karakteristike tiranase, me tirqe e xhamadanë, por edhe veshje “alla frënga”. Janë fotografi familjare, ku familja pozon për fotografin. Siç e donte zakoni, në mes, të ulur janë prindërit e anës fëmijët. Por ka edhe momente dasmash, ndeshje futbolli, shoqata gjahu... Janë kryesisht fotografi bardhë e zi, të zverdhura nga koha, por që dëshmojnë si asgjë tjetër më mirë, Tiranën e një, dy, apo tre shekujve më parë. Interesante paraqiten fotografitë e realizuara nga Lulzim Maloku. Është ai që na ofron qendrat kryesore të qytetit, ato që përbëjnë edhe identitetin e saj, si pazari, apo xhamia. Janë fotografi të realizuara në vitin 1897. Për të vijuar me rrugën e Kavajës, me kafe “Kursalin” tek qoshja. Krahas shkrepjeve të vjetra janë edhe ato më të reja, por që duket sikur vijnë nga historia. Të tilla janë ato që dëshmojnë ndjekjen e një zanati, apo zakoni, siç është fotografia e Bim Furxhiut e Xhajes tek lokali, apo fshataren e Tiranës me dru në kurriz. Nga ky udhëtim i shkurtër në kohë, kupton, se po, në të vërtetë Tirana ka ndryshuar shumë, po të rrëmosh pak në koracën e saj, do gjesh po ata tironas, me shtëpi me pus e me carac.
Në fotografitë e tironsve të vjetër, sigurisht që Tirana nuk të jep përshtypjen e një kryeqyteti, më shumë se një qytet i pazhvilluar fushor. “U themelua për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt”. Kështu thuhet në buletinin e botuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Tirana e shumë xhamive, filloi të ndryshojë kryesisht me shpalljen e saj kryeqytet. Në vitin 1922 me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme u zhdukën varrezat, që gjendeshin pranë çdo xhamie e pengonin jo vetëm rregullimin e tregut, por dhe atë të qytetit. Në këtë vit u hap dhe rruga e re e Durrësit, e cila u pagëzua me emrin “Nana Mbretneshë”. Thuhet se për ndërtimin e saj u prishën shumë shtëpi dhe kopshte, pasi ajo e vjetra që shkonte nga Hotel Durrësi nuk lejonte të shihej nga larg qendra e qytetit. Më vonë u zgjerua rruga “28 Nëntori”, “Rruga Mbretnore”, “Mussolini”, “Zogu i Parë”, Banka Kombëtare e Shqipërisë, sheshi “Skënderbej”, blloku i ministrive, etj.