Sejdiu prezanton katër pikat për shtrirjen e EULEX
Prishtina zyrtare ka paraqitur një dokument 4-pikësh, si kundërpërgjigje e plani 6-pikësh të OKB-së dhe Beogradit, për shtrirjen e këtij misioni në Kosovë. Në këtë mënyrë autoritetet kosovare kundërshtojnë përfundimisht planin e propozuar nga Ban Ki Moon, dhe parashtrojnë rrugën e zgjidhjes për fillimin e EULEX-it. Dokumenti me katër pikat është prezantuar nga Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu, pas takimit me nënsekretarin e Shtetit për Euro-Azinë, Daniel Fried. Dokumenti i është dorëzuar diplomatit amerikan, i cili është shprehur se do t’i dorëzojë në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë mënyrë Kosova fton EULEX-in të fillojë misionin, por duke e respektuar Kushtetutën dhe tërësinë territoriale të saj. Presidenti Fatmir Sejdiu ka theksuar se qëndrimet e Prishtinës janë të harmonizuara dhe prezantojnë pozicionin e institucioneve, mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillojë shtrirjen në gjithë territorin e Kosovës. Sipas Presidentit Fatmir Sejdiu, qëndrimi i Prishtinës rreth planit përmblidhet në katër pika: “Së pari: Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovë sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e Presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës. Së dyti: Institucionet e Kosovës e refuzojnë në tërësi dokumentin gjashtë pikësh. Së treti: Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in në tërë territorin e Kosovës në bazë të mandatit, sipas dokumenteve të lartpërmendura, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Së katërti: Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë si gjithmonë me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”. Plani i propozuar nga Kosova vjen si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon, të harmonizuar me Beogradin”.
Ndërkohë diplomati amerikan, Daniel Fried, i ka cilësuar pikat e parashtruara nga Prishtina si “një platformë e mirë për të vazhduar përpara”. Sidoqoftë, Fried ka shtuar se ka ende gjëra që duhet harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për t’i mundësuar EULEX-it fillimin e misionit në Kosovë. “Është mirë që institucionet e Kosovës të punojnë me ne, ashtu siç janë duke bërë, në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën dhe në mënyrë që të zhvillohet bashkëpunimi me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Kanë qenë dy ditë të mira dhe intensive dhe tani kemi bazat për të ecur përpara”, ka thënë Daniel Fried.