E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheffer: Nato do të zgjerohet në Lindje të Europës dhe Ballkan

 

Vetoja ruse nuk do të mund të pengojë shtrirjen e NATO-s në Evropë Lindore, Ballkan dhe në të gjitha vendet e ish-bllokut sovjetik që duan të aderojnë në të. Kjo është deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Atlantike, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë një takimi të zhvilluar në Valencia, me një delegacion parlamentarësh të shteteve anëtare. “NATO, do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha vendet e Ballkanit, Evropës Lindore dhe Kaukasit që aspirojnë të bashkohen me ne”, - ka saktësuar Hoop Scheffer. “Shtrirja e entiteteve të pavarura nga hapësira e vjetër sovjetike, është një realitet, dhe kapaciteti i këtyre entiteteve për të determinuar të ardhmen e tyre, do të ndërtojë hartën e Evropës së re”.
Tensioni me Kremlinin u krijua pas kërkesës për hyrjen në Paktin atlantik të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, proces që u ngri në takimin vjetor të Bukureshtit që u mbajt majin e kaluar, pavarësisht insistimit amerikanë. Më pas klima u duk sikur ndryshoi, si pasojë e konfliktit në gusht mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës shkon përtej pohimit dhe pyet, madje me ton polemik, nëse do të duhet të zgjidhet “mes marrëdhënieve të mira me Rusisë dhe një shtrirjeje të mëtejshme”. Për t’u përgjigjur më pas: “Jo. Ne nuk do të sakrifikojmë asnjë palë, sepse kjo do të çonte në vija të reja ndarjeje”. Hoop Scheffer ka qenë i hapur për një takim me autoritete moskovite, duke u shprehur i disponueshëm për të shkuar në kryeqytetin rus për t’u takuar me ta. Sekretari i Përgjithshëm i NATOS-s është shprehur në favor të një hetimi të pavarur për luftën kaukaziane, duke e dënuar si “të paligjshme” dhe të njëanshme njohjen nga ana e Kremlinit të zonave gjeorgjiane ribele të Abkhazia e Ossezia, që ndodhen në Jug të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›