Rikthehet Filumena Marturano
Filumena Marturano rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar edhe këtë fundjavë. Kryevepra e dramaturgut të njohur italian De Filipo, duket se ka njohur suksesin sërish në kryeqytetin shqiptar, pasi ajo vijon të shfaqet për publikun edhe këtë fundjavë.
Historia e dramës bën fjalë për Filumena Marturanon, një ish-prostitutë që jeton prej njëzetepesë vjetësh si gruaja e pakurorëzuar e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez dhe i kamur. Filumena ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e detyron atë të martohet me të zyrtarisht, duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes. Domeniko Soriano pranon të martohet, por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje, që kishte nisur për ti dhënë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të Domeniko Sorianos. Regjisori i shfaqjes është Albert Minga, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Artistja e Popullit Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Arben Derhemi, Fadil Kujofca, Nigela Ruka etj. Skenografia dhe kostumet do të përgatiten nga mjeshtri i skenës Artisti i Popullit, Agim Zajmi.