E Diel, 1 Nëntor 2026

Klandestinë drejt Greqisë, pranga trafikantëve

Autori i Lajmit: red.
Përfundojnë në qeli tre persona të dyshuar për trafik klandestinësh. Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga ditën e djeshme tre persona, pasi akuzohen se trafikonin klandestinë drejt shtetit grek. Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër organizoi dje një operacion të koduar “Parkimi i fundit“, i cili u finalizua me arrestimin e 33-vjeçares Marjana Nako, 48-vjeçarit Lame Dhandili, dhe 37-vjeçarit Artur Stroka, lindur dhe banues në Gjirokastër.
Burime nga policia bëjnë të ditur se tre të arrestuarit dyshohet se bënin të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të personave të ndryshëm kundrejt një shume parash. Sipas policisë, grupi dyshohet se drejtohej nga 33-vjeçarja Marjana Nako, e cila rekrutonte klandestinët nga lidhjet e saj në qytete të ndryshme si Dibër, Durrës, Berat, Fier, Lushnjë,. Më pas klandestinët kaloheshin përmes kufirit jeshil në të dy anët e doganave, “Tre Urat” dhe nga “Kakavija” kundrejt shumave prej 1800 deri në 2000 Euro për person. Burimet pohojnë se në kalimin e paligjshëm të kufirit të këtyre shtetasve kundrejt shumave të parave, Marjana Nako ndihmohej nga Lame Dhandili dhe Artur Stroka, si dhe nga persona të tjerë të identifikuar nga policia, e cila po punon për kapjen e tyre. Mësohet se hetimet për zbulimin e këtij grupi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte nisur muaj më parë dhe u finalizua dje, pas grumbullimit të provave ligjore në ngarkim të tre personave. Ky aktivitet është ushtruar në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit duke ndihmuar për kalim të paligjshëm dhjetëra shtetasve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 300 euro, automjeti tip “Kia”, në pronësi të 33-vjeçares Marjana Nako , me targa të huaja MYH 12 44, dhe automjeti tip “Audi”, në pronësi të 37-vjeçarit Lame Dhandili me targë GJ 91 35 A, si dhe gjashtë celularë, të cilët i përdornin personat e arrestuar.

Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›