letër-porosia maqedonase kthen procesin
Autoritetet maqedonase sjellin prova të reja për rrëmbimin e imamit të Gostivarit
TIRANË- Në kohën qëpritej dhënia e vendimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda për kuksianët e akuzuar për "pengmarrjen" e imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi, pala maqedonase sjell letër-porosinë e kërkuar këtu e dy vjet më parë. Sipas kryesuesit të togave të zeza, Bardhyl Dhamo, autoritetet e drejtësisë maqedonase kanë sjell përgjigjen e letër-porosisë së dërguar nga gjykata, me përgjigjet e pyetjeve të bëra në drejtim të familjarëve të imamit dhe personave që kishin dijeni për rrëmbimin e imamit Irfan Idrizi. Sipas gjyqtarit Dhamo, edhe pse janë lexuar konkluzionet e prokurorisë dhe pretendimet e mbrojtjes, është vendosur që të përkthehet dosja dhe t'i jepet një kopje organit të akuzës për të rishikuar pretendimet përfundimtare. Mendohet se me ardhjen e kësaj letër-porosie dhe leximin e dëshmive të dhëna nga persona që kishin dijeni për mbajtjen e imamit Idrizi, mund të bien apo të ngrihen akuza të për ndonjërin nga personat që ndodhet në bankën e të pandehurve. "Letër-porosia ka ardhur më 21 janar të këtij viti dhe është në gjuhën maqedonase. Është urdhëruar përkthimi i këtyre akteve nga përkthyesja zyrtare dhe pritet që pas përkthimit të dosjes së ardhur, të shprehemi për vendimin, duke dëgjuar edhe njëherë pretendimet e akuzës dhe mbrojtjes",-tha gjyqtari Dhamo gjatë seancës së djeshme gjyqësore kur pritej leximi i vendimit përfundimtar për 6 të pandehurit e akuzuar për "rrëmbimin" e imamit të Gostivarit Irfan Idrizi. Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, prokurori i çështjes lexoi konkluzionet përfundimtare, ku kërkoi nga gjykata deklarimin fajtorë të të pandehurve dhe dënimin e tyre me 78 vjet burg gjithsej. Sipas pretencës, gjashtë të pandehurit: Masar e Korab Meli, Beqir e Basri Shahu dhe Nagip Musliu në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të "rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit", ndërsa për të pandehurin Shkëlqim Palushi rëndon edhe vepra penale e "mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, të lëndëve plasëse dhe municioneve". Vetë të pandehurit dhe mbrojtësit ligjorë akuzuan prokurorinë për manipulim provash dhe mbajtjen e tyre në qeli, duke shkelur ligjin, pasi i kanë kaluar të gjitha afatet e përcaktuara me ligj për zgjatjen e afateve hetimore. Sipas akuzës është provuar me dëshmi dhe prova se imami i Gostivarit është mbajtur peng për disa ditë në territorin shqiptar, njëherë në një fshat të Krumës dhe më pas në fshatin Bardhoc të Kukësit.