E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët, tre të arrestuar në Korçë

Një operacion i koduar "Krushqit" ka shkatërruar një rrjet trafikantësh të qenieve njerëzore drejt Greqisë. Policia e Korçës ka vënë në pranga tre shtetas nga qyteti i Ersekës, me lidhje familjare mes tyre, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri. Ata janë arrestuar në kushtet e flagrancës duke transportuar drejt kufirit të gjelbër 19 persona mes të cilëve edhe fëmijë nën moshën 10 vjeç dhe gra. Policia e Korçës njoftoi se kishte arrestuar në kudër të operacionit "Krushqit" tre shtetas nga Erseka, 55-vjeçarin Tomorr Malo, djalin e tij, 22-vjeçar Haxhi Malo dhe shtetasin Altin Lifo, 25 vjeç, që sipas policisë ka qenë edhe organizatori kryesor i këtij trafiku. Sipas policisë, 25-vjeçari siguronte klientët dhe më pas në bashkëpunim me dy shtetasit e tjerë, me të cilët kishte lidhje krushqie, realizonin transportimin drejt kufirit të gjelbër kundrejt pagesës. Burimet e policisë kanë deklaruar se arrestimi i tyre u bë rreth orës 01:10 të ditës së shtunë. Në bazë të informacioneve që dispononte policia, një grup i madh personash të destinuar për të kaluar ilegalisht në Greqi do të kalonin përmes rrugës nacionale që lidh Korçën me Kolonjën. Shërbimet dhe patrullat e policisë , të ngritura në kuadër të operacionit "Krushqit" bënë arrestimin në flagrancë të tre shtetasve. Policia tha se këta persona janë kapur ndërsa po transportonin klandestinët. Ka qenë ora 20:45, kur mjeti ku mbaheshin personat e destinuar për trafik është ndaluar nga policia në rrugën nacionale Korçë-Ersekë në afërsi të fshatit Mollas. Tre të arrestuarit u kapën në automjetin furgon taksi me targë ER 005 A, i cili drejtohej nga shtetasi Tomor Malo. Me mjetin e tij po udhëtonin si pasagjerë dhe 19 persona të tjerë nga rrethet e Lushnjës dhe Beratit, mes të cilëve 6 të mitur, nën 10 vjeç, 8 femra dhe 5 meshkuj. Policia ka thënë se ishte në dijeni të një linje të ngritur të trafikut nga zona e Leskovikut, ndërkohë që operacioni është finalizuar me kapjen e tre shtetasve, pasi disa muaj më parë u vunë në pranga disa të afërm të tyre po për trafik të qenieve njerëzore drejt shtetit grek. Burimet e policisë kanë deklaruar se edhe këtë herë klandestinët do të përcilleshin nga e njëjta linjë ajo e zonës së kufirit të gjelbër në Leskovik. Secili nga personat do të paguante për këtë shërbim një shumë nga 1500 për fëmijët dhe 2500 euro për të rriturit. Policia e Korçës ka sekuestruar në cilësinë e provës pesë telefona celularë dhe mjetin tip furgon me të cilin po realizohej trafiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›