E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klasik Mbrëmje muzikore, për ditëlindjen e Mendelsonit

Viti 2009 në fushën e muzikës është shpallur si viti i Feliks Mendelson Bartoldit. Në Tiranë një koncert për nder të tij
Sezoni i Klasikut në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur gjerman Feliks Mendelson Bartold zhvillon në datë 18 shkurt në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit koncertin me muzikë dhome nga krijimtaria e këtij kompozitori, i cili sot renditet ndër emrat më të mëdhenj të muzikës klasike. Të ftuar në këtë koncert do të jenë artistët e njohur, violinisti Andreas Reiner dhe pianisti shqiptar Desar Sulejmani, ndërkohë që në violonçel do të jetë Pjetër Guralumi. Në këtë koncert me muzikë dhome do të interpretohen sonata për violinë dhe piano. Felix Mendelson Bartold përfaqëson një nga kompozitorët më popullorë të periudhës romantike. Ndërkohë që artistët, të cilët do të interpretojnë në koncert janë emra të njohur të skenave evropiane. Violinisti Andreas Reiner themelon kuartetin e harqeve Rosamunde, të cilit ai që atëherë i kushton vëmendjen më të madhe artistike. Kuarteti Rosamunde ka luajtur në të gjitha festivalet ndërkombëtare dhe aktivitetet e tjera artistike, ka qenë i propozuar për çmimin Grammy si dhe kanë marrë dy herë Çmimin e kritikës gjermane për CD e tij tek ECM. Në vitin 2008 Andreas Reiner ka marrë çmimin më të rëndësishëm të muzikës klasike në Gjermani, çmimin ECHO. Gjatë aktivitetit të tij kulturore edicioni i Klasik ka sjellë emra të talentuar artistësh, të cilët janë shpërblyer me duartrokitje dhe në skenën shqiptare për atë që ata i kanë dhënë publikut. Edhe koncerti radhës që do të zhvillohet me tingujt e muzikës së dhomës nga krijimtaria e Mendelsonit, premton të sjellë tinguj  të magjishëm të muzikës klasike për publikun. Emri i kompozitorit po ashtu edhe i artistëve pjesëmarrës në këtë koncert, tregojnë për një mbrëmje të mrekullueshme nën tingujt  e krijimtarisë muzikore të Mendelsonit. Koncerti i radhës i sezonit të Klasik do të jetë në datën 21 shkurt në të njëjtën orë, përsëri tek skena e TKOB. Është një koncert me Orkestrën Simfonike të RTSH, nën drejtimin e Prof. David de Villiers, solist prof. Andreas Reiner (violinë). Ndërkohë që pianisti shqiptar Desar Sulejmani tashmë është i njohur për suksesin e tij në skenat evropiane. Ai u lind në Shkodër në vitin 1978. Që në moshën 6- vjeçare ai filloi të luante në piano. Pasi frekuentoi shkollën e muzikës Prenk Jakova të qytetit të tij të lindjes, vazhdoi studimet në liceun artistik kombëtar Jordan Misja në Tiranë, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Si solist i orkestrës të harqeve Virtuozët e rinj të Tiranës nga viti 1995 - 1997 ai mori pjesë në turne në shtete si Franca, Belgjika, Hungaria dhe Italia. Në vitin 1996 regjistron CD e tij të parë me koncertin për piano në A - Dur, KV 414 nga Moxart në studiot e Radio Vatikan. Pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet për muzikë dhome pranë Prof. Andreas Reiner, pianisti i diplomuar Sulejmani studioi nga viti 2005 deri më 2008 dirigjim pranë Prof. David de Villiers në shkollën e lartë të muzikës Folkëang në Essen. Studime të cilat i mbaron me rezultate të larta në korrik të 2008. Sulejmani drejton që prej Majit 2006 Orkestrën Simfonike Heinrich Heine Symphoniker në Dysseldorf dhe dirigjon rregullisht Orkestrën Filarmonike të Akademisë së Arteve dhe Orkestrën Simfonike të RTSH në Tiranë.
 **************************
Violinisti Andreas Reiner
 I lindur në Vjenë dhe i rritur në Eisenstadt, në qytetin e Joseph Haydn, ka marrë formimin e tij në violinë tek Ëerner Ehrenhofer, Edith Steinbauer dhe Itzhak Perlman. Talenti i tij u shfaq që në moshë të vogël e si rrjedhojë ai do të luante koncertin e tij të parë solistik në moshën 7 vjeçare. Që nga ajo kohë ai ka luajtur në pothuajse të gjitha vendet evropiane, në Amerikën e Veriut dhe të Jugut si dhe në Japoni. Shumë recitale dhe koncerte të muzikës së dhomës ai i ka luajtur me Christian Zacharias, Roger Vignoles, Aci Bertoncelj, Murray Perrahia dhe Gerhard Oppitz. Ai gjithashtu ka qenë në shumë koncerte si solist së bashku me Heinrich Schiff në koncertin për violinë dhe violonçel të Johannes Brahms. Pas një kohe të shkurtër si koncertmaester i Orkestrës Filarmonike të Mynihut nën drejtimin e Sergiu Celibidache. Në vitin 2008 Andreas Reiner ka marrë çmimin më të rëndësishëm të muzikës klasike në Gjermani, çmimin ECHO. Andreas Reiner është profesor i muzikës së dhomën në shkollën e lartë të muzikës Folkëang në Essen dhe luan në violinën e famshme King Max-Joseph.
 

************************************
Të dhëna mbi kompozitorin Mendelson
Bartoldi ((Feliks Mendelson Bartold), konsiderohej si Moxarti i shekullit të 19-të. Ai lindi në Hamburg më 3 shkurt 1809. I frymëzuar prej influencës së letërsisë, pikturës, muzikës dhe filozofisë Bartoldi më me insistim se çdo intelektual tjetër i kohës u vu në kërkim të gjetjes së rrugëdaljes nga dilema e artit të romantizmit. Duke drejtuar rivënien në skenë  "Pasioni i Johanesit" të J.S. Bachut në Berlin në vitin 1829 Bartoldi themeloi edhe renesansën e shekullit të 19-të. Si drejtues i orkestrës së Lajpcigut ai e shndërroi qytetin në një qendër të rëndësishme të kulturës evropiane. Aktivitetin e tij Bartoldi zgjeroi edhe në shumë qytete kryesore të Evropës si në Londër e Paris dhe në një sërë qytetesh të mëdha në Gjermani: në Berlin, Lajpcig, Frankfurt. Në vitin 1843 në Lajpcig ai ishte bashkëthemeluesi i  konservatorit të parë të muzikës në Gjermani. Në të njëjtin vit ai u vlerësua edhe si qytetar nderi i Lajpcigut. Në vitin 1844 Bartoldi drejtoi gjashtë koncerte simfonike në Londër dhe ekzekutoi premierën e veprës së tij "Ëndrra e një nate vere". Krijimtaria muzikore e Feliks Mendelson Bartoldit i përfshin të gjitha zhanret e muzikës fetare dhe asaj instrumentale e popullore të kohës. Ai ka kompozuar Simfoni, pjesë për piano, këngë, muzikë korale, kantata. Feliks Mendelson Bartoldi ndërroi jetë në Lajpcig më 4 nëntor 1847.

Email This Klikime: 7

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›