E Diel, 1 Nëntor 2026

Sait Kotorri, një emër premtues për futbollin elbasanas

Nga Elton Karaj

I riu Kotorri luan në rolin e sulmuesit të krahut të majtë me skuadrën e Fushë-Mbretit dhe stërvitet nga trajneri Hekuran Jakupi

Në qytetin e Elbasanit sporti po masivizohet dhe kjo gjë është në shërbim të atyre lojtarëve të talentuar, të cilët premtojnë të ardhmen e futbollit Shqiptar. Në këtë qytet vitet e fundit kanë spikatur mjaft lojtarë, të cilët janë grumbulluar edhe në ekipet kombëtare, duke lënë mbresa mjaft të mira te trajnerët e tyre. Një ndër ta është edhe Sait Kotorri, i cili luan në rolin e sulmuesit të krahut të majtë me skuadrën e Fushë-Mbretit.

Ai stërvitet nga trajneri, ish-futbollisti i mirënjohur, Hekuran Jakupi. Kotorri, i cili është i datëlindjes 26/3/1994 deri tani ka shënuar 6 gola në 8 ndeshje të zhvilluara, një mesatare e mirë kjo për një lojtar, i cili ka si detyrë të mbajë ekipin përpara. Para dy muajsh Kotorri u provua në një skuadër italiane, më saktë në skuadrën e Katanias, ku la mbresa të mira, por për fatin e keq, ai nuk mund të qëndronte në Sicili për arsye dokumentacioni.

- Sait, në çfarë moshe keni filluar të luani futboll dhe cili ka qenë trajneri juaj i parë?

- Stërvitjen e kam filluar në moshën 8-vjeçare dhe trajneri im i parë ka qenë profesor Hekuran Jakupi, i cili ka bërë një punë të palodhur për mua, ndaj dhe dua ta falënderoj për ndihmën që më ka dhënë.

- Si ju lindi pasioni për futbollin, apo ju ka shtyrë familja?

- Kam qenë i pasionuar pas futbollit qysh në fëmijë, por më duhet ta pranoj, babai më ka shtyrë ti futesha rrugës së futbollit që një ditë të bëhesha një futbollist i mirë.

- Si ndiheni kur specialitët në Elbasan ju vlerësojnë si futbollist me të ardhme?

- Vlerësimet pozitive më bëjnë më të fortë kur jam në fushë dhe në stërvitje, pasi më japin më shumë kurajë për të vazhduar rrugën që kam nisur.

- Deri tani keni shënuar 5 gola në 7 ndeshje, një shifër e mirë kjo për një sulmues krahu?

- Asnjëherë nuk do të jem i kënaqur nga vetja, pasi e ndiej se mund të bëj edhe më mirë. Dua të shënoj më shumë gola, në mënyrë që ta justifikoj besimin e trajnerit dhe ta ndihmoj ekipin tim që të fitojë sa më shumë ndeshje.

- Kemi mësuar se jeni provuar te skuadra e Katanias. A mund të na thoni diçka mbi këtë eksperiencë tuajën në Itali?

- Ishte eksperienca më e bukur që më ka ndodhur në jetën time. Ishte si një endërr për mua të provohesha në një ekip të Serisë A.

- Çfarë ju thanë trajnerët që ju morën në provë atje dhe pse nuk mundët të qëndronit te Katania?

- Trajnerët që më stërvitnin atje më thanë fjalë të mira si dhe më qëndruan pranë në çdo moment. Ata më ofruan një kontratë 5-vjeçare, por për fat të keq nuk arritëm ta konkretizonim për shkak të problemeve me dokumentacionin.

- Do të tentoni në të ardhmen që të provoheni në një skuadër tjetër?

- Sigurisht që po, por shpresoj të provohem sërish në një ekip të huaj, pasi në Shqipëri niveli i futbollit po vjen gjithmonë e më shumë në rënie.

- Ku dëshironi të luani në Europë?

- Dëshira ime më e madhe është të provohem në Gjermani, por në futboll asnjëherë nuk i dihet, ndaj them se asgjë nuk është e sigurt, ndoshta mund të qëndroj edhe në Shqipëri.

Vlerësimet e Jakupit: Kotorri më kujton veten

Ish-lojtari i Elbasanit, Hekuran Jakupi, trajneri që stërvit Sait Kotorrin, e vlerëson shumë këtë të ri për talentin që ai zotëron. Ai thekson se teksa stërvit një lojtar si Kotorri i vjen në mendje sikur sheh veten e tij të rinuar: “Saiti është një lojtar mjaft i talentuar dhe është një nga talentetet e qytetit të Elbasanit.

Jo më kot ai u provua me sukses dhe tek ekipi i Katanias në Itali. Jam mjaft i kënaqur për talentin që ai ka si dhe për formën e mirë që po tregon. Për mua është nder që stërvis një lojtar mjaft të talentuar si ai, që kur e shoh në fushë, më kujton veten kur kam qenë futbollist,” u shpreh Jakupi për lojtarin Sait Kotorri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›