E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shembull nga Karamanlis



Kostas Karamanlis, kreu i partisë Demokracia e Re në Greqi, humbi thellë zgjedhjet e së dielës dhe nuk ngurroi të jepte në mënyrë të menjëhershme dorëheqjen nga drejtimi i partisë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për humbjen pas 5 vitesh në pushtet. Ndërkohë, deputetë të PS-së nxitojnë t’i tregojnë Edi Ramës këtë shembull që nuk vjen nga shumë larg, por nga shteti fqinj dhe t’i kujtojnë atij se nuk mori përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve duke u larguar nga partia pas datës 28 qershor. Sipas deputetit Andis Harasani: “Karamanlis menjëherë pasi u mësua se Partia ka humbur zgjedhjet, jep dorëheqjen dhe thërret brenda një muaji kongresin e jashtëzakonshëm të partisë. Sigurisht që nuk harron të theksojë se nuk do të rikandidojë”. Në këtë mënyrë ai lëshon një kambanë për Ramën, i cili jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por as nuk pranoi humbjen. Më tej, Harasani pranon se për humbjen e partisë në zgjedhje faji duhet gjetur tek vetja dhe jo tek Berisha apo Meta.

Ikja e Karamanlisit

“Marr përsipër përgjegjësinë e rezultatit dhe inicioj procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Demokracisë së Re", - tha Karamanlis duke shtuar se pas një muaji do të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, ku ai nuk do të kandidojë për postin e kryetarit.

Në deklaratën e tij fill pas rezultatit të zgjedhjeve, Kostas Karamanlis insistoi se politika e tij ishte rezultative dhe realiste, mirëpo shtoi se populli nuk e miratoi këtë politikë dhe përzgjedhja e tij është e respektueshme. Ai tha se përgëzon rivalin e vet, Jorgos Papandreu, për fitoren dhe se i uron sukses në sfidën e madhe për përballimin e krizës ekonomike.

Kostas Karamanlis shpalli para një muaji zgjedhje të parakohshme, plot dy vjet pasi kishte rifituar mandatin e dytë në zgjedhjet, po ashtu të parakohshme. Ai kërkonte ripërtëritjen e mandatit me mazhorancë të fuqishme, për të avancuar programin e vet shtrëngues që synonte nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike. Ai kishte parashikuar se do t’i duheshin dy vjet për ta nxjerrë ekonominë nga gjendja e recesionit. Gjatë fushatës elektorale, Kostas Karamanlis e kishte paraqitur situatën me ngjyra tepër të zymta dhe kishte theksuar se qe i obliguar t’u thoshte grekëve të vërtetën e të mos u premtonte gjëra të parealizueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›